2026 ka nisur ndryshe! Tirana dhe Vllaznia janë ekipet më të mira në Superiore, bardheblutë i çudisin të gjithë

2026 ka nisur ndryshe për Tiranën! As tifozët më të flaktë të këtij ekipi nuk mund ta mendonin dot se do të vinte një kohë e tillë, pas vetëm një muaji, që Tirana të kishte këto rezultate kaq të mira. Veçanërisht duke parë nisjen katastrofale të sezonit, në vitin që lamë pas. Në vitin 2026, për ndeshjet e Superiores, Tirana është ekipi i dytë me rezultatet më të mira, duke u lënë pas vetëm nga Vllaznia.

Tirana numëron 3 fitore dhe 1 barazim në 4 takime dhe barazimi erdhi në një ndeshje kundër Vorës, e cila ishte e destinuar për t’u fituar, por e mohuar nga fati. Kjo tregon shumë për ndryshimin e fytyrës së bardhebluve në këtë vit falë merkatos së janarit dhe efektit Xhixha në frymën e skuadrës. Nga ana tjetër Vllaznia ndodhet në vendin e parë me një ecuri brilante, duke marrë 4 fitore radhazi dhe duke krijura një farë diference prej tre pikësh nga ndjekësit më të afërt. /Sport Ekspres/