Nedim Bajrami ka qenë protagonist dhe një prej lojtarëve që i dha një dorë të madhe Shqipërisë për të shkuar në Europianin e Gjermanisë. FSHF bëri një luftë të madhe për të marrë këtë lojtar në gjirin e saj dhe në kohën e Rejës, kishte shumë kritika për të pasi nuk e shpërbleu të gjithë besimin.
Por me ardhjen e Silvinjos ndryshoi gjithë historia, Bajrami u kthye si një prej lojtarëve kryesorë në suksesin e Shqipërisë. Në kohët e fundit Nedimi nuk ka zhvilluar performanca të mira në Kombëtare dhe po ashtu, po çalon shumë edhe te Rangers. Në të gjitha ndeshjet e fundit Bajrami është parë që të qëndrojë në stol dhe të marrë fare pak minuta, ndërsa në dy takimet e fundit, i ka nisur si titullar.
Ndaj Celtic luajti për 66 minuta, ndërsa sot kundër Aberden, në fitoren 4-0, Bajrami e nisi si titullar dhe doli në minutën e 45. Por sot është parë edhe një skenë e rrallë dhe jo e bukur për tifozët shqiptarë që tregon edhe mungesën e efikasitetit të Bajramit në Skoci. Në minutën e 33 të ndeshjes, një prej lojtarëve kundërshtarë ka bërë një ndërhyrje shumë të rëndë ndaj futbollistit shqiptar, duke e goditur atë dhe pa pasur asnjë qëllim për të kapur topin.
Bajrami ka përfunduar në tokë mes ulërimave nga dhimbjet, duke kërkuar ndihmën e menjëhershme të mjekëve. Nga ana tjetër arbitri ka komunikuar me dhomën e VAR për të parë nëse do të kishte një ndëshkim me karton të kuq për lojtarin kundërshtar për shkakun e ndërhyrjes së rëndë ndaj Bajramit.
Në fund u dha vetëm një karton i verdhë, por nuk ishte kjo çudia më e madhe. Ajo që shkaktoi shumë habi është fakti që mes gjithë kësaj skene, asnjë prej lojtarëve të Rangers nuk shkoi për të parë Bajramin dhe për ta pyetur sesi ndihej. Futbollisti i Kombëtares ka qëndruar i vetëm i shtrirë në fushë derisa mbërritën mjekët e ekipit dhe më pas u largua me ta, pa praninë e asnjë futbollisti të Rangers, pavarësisht se ndërhyrja ishte shumë e rrezikshme. E gjitha kjo skenë i ka bërë përshtypje edhe disa tifozëve të Rangers në rrjetet sociale. /Sport Ekspres/