Titulli kampion shkon sërish në Rrogozhinë. Egnatia është kurorëzuar kampione për të dytin vit radhazi. Skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova ka fituar finalen e sotme të “Abissnet Superiores” kundër Vllaznisë me rezultatin e thellë 0-4. Pas përfundimit të sfidës, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Super Gol” në “RTSH”.
Brdariç (Vllaznia): “Së pari dua të falenderoj tifozët. Qëllimi ishte t’ja kthenim mbrapsht në fushë atë që ata dhanë në tribuna. Dua t’ja uroj fitoren Egnatias. Një respekt i madh për ta. Janë kampionë për të dytën herë. Gjithashtu dua të përgëzoj Vllazninë për vendin e dytë. Do ta provojmë përsëri, por sot patëm shansim më të madh për dy dekada. Normale që jemi të mërzitur. Duhet ta përtypim këtë ndeshje. Duhet të reagojmë sa më shpejt. Mund të flasim për taktikat, por sot pësuam shumë lehtë. Ishim pak nervozë pasi pësuam golin e parë dhe nuk mundëm të dilnim në taktikën tone. Sot nuk ishte një performancë e mirë nga ne”.
Demrozi (Presidenti i Egnatias): “Egnatia sot mori atë që meritonte. Në fazën e dytë ishim gjithmonë në vendin e parë. Shpresojmë që të fitojmë sa më shumë trofe. Egnatia ka qenë gjithmonë realitet për futbollin shqiptar, pavarësisht se mediat nuk e kanë përkrahur shumë. Egnatia është dhe do të jetë gjithmonë në futbollin shqiptar, të paktën deri sa të jem unë këtu. Të gjitha kanë ardhur falë punës që kemi bërë deri tani. Shpresoj që këtë vit do t’i kapim Kupat e Europës. Kemi punuar shumë, edhe me blerjet e reja në merkato. I kemi piketuar emrat. Nuk marrim më shumë se 2-3 elementë”./Sport Ekspres/