“Nuk do të vdesi njeri nga ju në Tiranë”! Serbët i ka frika nga Shqipëria, kthejnë edhe të përjashtuarit 

Kanë mbetur edhe 18 ditë nga ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila do të luhet në Air Albania. Gjatë këtyre kohëve është folur shumë sa i përket stadiumit në Tiranë, biletave dhe historive të tilla, por në krahun e Serbisë ka nisur frika dhe paniku për atë që i pret në kryeqytetin shqiptar. 

Për këtë arsye, një reagim ka ardhur edhe nga ish-trajneri i Zvezdës, Bozhovic. Ky i fundit ka qetësuar sadopak serbët dhe i ka dhënë atyre një këshillë, për ta marrë sa më qetë të munden përballjen me Shqipërinë. 

“Askush nuk ka vdekur ende në fushën e futbollit. Vetëm qetësi duhet. Duhet menduar vetëm për futboll, vetëm për futboll, asgjë tjetër përveç kësaj. E di që nuk do të jetë e lehtë, e di që do të ketë provokime. Këtë e dimë të gjithë. Besoj se lojtarët tanë do të mendojnë vetëm për futbollin. Fitorja është përgjigja më e mirë për të gjitha provokimet që do të bëhen”, tha ish-trajneri i Zvezdës. 

Ndërkohë në ditën e sotme ka dalë edhe lista e zgjeruar e Serbisë për ndeshjen me Shqipërinë. Në të përfshihet edhe sulmuesi kualitativ i Serbisë, Aleksander Mitrovic, tani pjesë e Al Hilal. Pavarësisht përplasjeve që kishte në kohët e fundit me trajnerin e Serbisë, për hir të Shqipërisë, këto konflikte janë shuar dhe sulmuesi do të jetë në ndeshjen kundër kuqezinjëve. 

Nga ana tjetër vihet re mungesa e portierit të Torinos, Vanja Milinkovic Savic që në dy javët e fundit është shkatërruar nga mesfushorët e Shqipërisë. Në fillim me Kristjan Asllanin dhe më pas me Ylber Ramadanin, por ky i fundit lëshoi një predhë të vërtetë nga distanca. 

Përpos këtyre, duhet të theksojmë se edhe numri një i Serbisë, Aleksandër Vucic, ka bërë një mbledhje me trajnerin e Serbisë dhe figura të tjera të njohura të sportit në Serbi. Ai është ndalur edhe te ndeshja që do të zhvillohet në Air Albania duke i kërkuar ekipit që të dalin vetëm me fitore nga kjo përballje. /Sport Ekspres/