“Kampionati nuk është si turnetë e tjerë”, Konte: Pas 38 ndeshjeve fiton ai që e meriton më shumë

Napoli luan kundër Kaljarit ndeshjen më të rëndësishme të këtij sezoni. Një fitore do t’i jepte titullin e 4-t kampion, ndërsa barazimi dhe humbja, e kombinuar një fitore të Interit, do t’i hiqte mundësinë e skudetos në javën e fundit të kampionatit. Antonio Konte ka thënë në konferencë për shtyp se ai dhe ekipi i tij ndjejnë përgjegjësinë që t’i dhurojë tifozëve diçka të bukur. Trajneri i të kaltërve ka theksuar se në kampionat fitojnë gjithmonë skuadrat që e meritojnë, në të kundërt nga turnetë e shkurtër që kanë më pak ndeshje në dispozicion.

“Ndjejmë përgjegjësinë t’i dhurojmë tifozëve dhe Napolit diçka të bukur. Përvoja ime më ka thënë gjithmonë se fitojnë skuadrat që e kanë merituar dhe e kanë treguar më shumë. Flasim për 38 ndeshje, në ndryshim nga turnetë e shkurtër, që më pas nuk janë edhe aq të shkurtër, ku është i rëndësishëm shorti, të gjeturit e kundërshtarëve me lojtarë të skualifikuar ose të dëmtuar. Në një rrugëtim më të shkurtër mund të ndodhë diçka, por 38 ndeshje janë shumë dhe nxjerrin në pah atë që e meriton”, ka deklaruar Antonio Konte./Sport Ekspres/