UEFA ka marrë vendimin zyrtar, Ballkani-Viktoria Pilsen do të zhvillohet në “Air Albania”. Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” nuk i përmbush standartet e qeverisë europiane të futbollit, çka e ka shtyrë këtë të fundit për të ndërruar stadiumin pritës për Ballkanin. FSHF-ja ka njoftuar se impianit “Air Albania” do të hapë dyert për ekipin e Ilir Dajës, që synon të jetë befasi në grupin e Ligës së Konferencës.
“Stadiumi “Air Albania” i Tiranës do të presë një tjetër ndeshje ndërkombëtare. UEFA ka vendosur sot të spostojë ndeshjen mes klubit të Ballkanit (Kosovë) dhe FC Viktoria Plzen (Çeki) nga stadiumi “Fadil Vokrri” i Prishtinës në stadiumin “Air Albania”.
Ky vendim është marrë për shkak të kushteve të përkeqësuara të fushës në stadiumin e kryeqytetit kosovar, ndërkohë që sfida është e programuar të luhet në Shqipëri më datë 30 nëntor, duke nisur nga 18:45”, ka njoftuar FSHF-ja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/