Që emigrantët jashtë Shqipërisë e ndiejnë atdheun më shumë sesa ne që jetojmë në të, ky është një fakt i pakundërshtueshëm. Është ligji i jetës, gjithmonë gjërat që i ke në dorë nuk ia njeh vlerën derisa i humb ato. Kjo është edhe historia jonë, e ne shqiptarëve që emigrojmë kudo nëpër botë, deri në skajin më të largët, por sërish pas njëfarë kohe kuptojmë që përtej anës ekonomike dhe një jetese më të mirë që të ofron bota mbarë në krahasim me Shqipërinë tonë të varfër, guri i rëndë peshon gjithmonë në vendin e vet dhe shija e jetës nuk krahasohet asnjëherë me atdheun.
Kombëtarja është pika e vetme kur Shqipëria bëhet bashkë ashtu siç e ka falur Zoti, të madhe e quajnë armiqtë tanë, ndërsa për ne do të ishte mirë ta quanim natyrale. Që Kombëtarja është më shumë sesa një interes personal, këtë e kuptojnë dhe duhet ta kuptojnë të gjithë. Për të kuptuar realisht se çfarë ndodh në prapaskenë dhe sesi është përjetimi dhe mëndësia duhet të japim një detaj shumë të bukur dhe domethënës.
Pas ndeshjes së Europianit të Gjermanisë, Kroaci-Shqipëri, Sport Ekspres bëri një komunikim me babain e Qazim Laçit, Emin Laçin. Një familjare patriotësh dhe që e kanë rritur djalin e tyre me një atdhedashuri të madhe, pavarësisht shumë viteve të kaluara në Greqi.
Qazim Laçi është vënë re që të moshat e Shqipërisë dhe akoma në ekipin kombëtar, që sa herë këndon himnin para ndeshjes, mbyll gjithmonë sytë për të lënë shpirtin që të komandoj buzët. Dhe merita i shkon padyshim prindërve të tij për mënyrën sesi e kanë rritur.
Por detaji interesant, për t’iu rikthyer, i përkiste Europianit të Gjermanisë. Pas ndeshjes me Kroacinë kemi kërkuar që të zhvillojmë një intervistë me babain e Qazim Laçit dhe fjalët e tij të thëna privatisht, tregojnë shumë për këtë familje dhe për mënyrën sesi e përjetojnë Shqipërinë, Kombëtaren.
“A do të drejtën? I kam thënë edhe miqëve të mi që i ke këtu në tavolinë, pyeti po të duash. I thashë me shpirt do t’i them Silvinjos tani, djalin tim hiqe nga fusha, nuk ka problem, vetëm Arbër Hoxhën fute, fute nga fillimi, lëre djalin tim jashtë, nuk ka gjë”, tha babai i Qazim Laçit.
Bëhej fjalë pikërisht për Arbër Hoxhën që në Europianin e Gjermanisë e ndezi turbon si kurrë më parë duke mrekulluar tifozët e Shqipërisë, por Silvinjo i dha shumë pak minuta aktivizimi. Ndërkohë Qazim Laçi shënoi golin e parë të Shqipërisë kundër Kroacisë, por për babain e tij, interesi personal nuk futej aspak përpara të mirës së përgjithshme, për hir të Shqipërisë, ishte i gatshëm “të sakrifikonte” edhe djalin e tij vetëm për suksesin e Kombëtares tonë. /Sport Ekspres/