Shqipëria do të përballet në datën 7 qershor kundër Serbisë. Një ndeshje e madhe, një atmosferë e ndezur për derbin e Ballkanit, kuqezinjtë do të ndeshen kundër serbëve dhe interesi është i madh për të parë sesi do të luajë Kombëtarja jonë ndaj rivalëve tanë të përjetshëm.
Të gjithë thonë se duhet diçka ndryshe që kjo Shqipëri të arrijë suksesin, diçka ndryshe për të mundur Serbinë, diçka ndryshe për të shkuar në Botëror. Cila do të jetë ajo? Me siguri që Silvinjo ka kohë që e mendon një kurth apo befasi për kundërshtarin e tij, larg formacionit të tij të zakonshëm për mënyrën sesi jemi mësuar që të shohim Kombëtaren tonë.
Me shumë gjasa, Shqipëria do të ketë një “tank” përpara mbrojtjes. Arlind Ajeti mund të jetë surpriza e madhe e Silvinjos, surprizë për faktin se nuk do të përdoret si qendër mbrojtës, atje ku do të rikthehet Ardian Ismajli.
Dhe me shumë mundësi, kjo do të rezultonte një gjetje ideale për një arsye shumë të thjeshtë. Ajeti është futbollisti ideal për të shkatërruar aksionet kundërshtare dhe me fizikun e tij, do të shtrinte në tokë në shumë duele futbollistët serb, është një bishë e pakalueshme.
Nga ana tjetër Arlindi ka një cilësi që shumë pak e kanë vënë re, mbajtjen e topit. Dhe për t’i mbyllur gojën të gjithëve që mund të dyshojnë në këtë aftësi të Ajetit, na vjen në ndihmë ndeshja Angli-Shqipëri.
Në atë ndeshje, Ajeti ishte i vetmi që mori rolin e regjizorit nga prapavija duke pasur siguri të madhe në mbajtjen e topit dhe njëkohësisht në daljet e tij nga mbrojtja me top, për të shmangur edhe lojtarët e Anglisë. Një dëshmi e madhe për të kuptuar se Ajeti si mesfushor shkatërrues nuk do të ishte thjesht një eksperimencë, por një goditje e madhe që do të befasonte serbët dhe njëkohësisht, do t’i jepte fitoren Shqipërisë kundër Serbisë. /Sport Ekspres/