“Silvinjo po e përjeton ndeshjen, e njeh historinë e Shqipërisë”, Duka: Me Serbinë do të jetë një derbi sportiv, me ta luajmë shanset për vendin e 2-të

Shqipëria do të luajë përballë Serbisë mbrëmjen e së shtunës ndeshjen e vlefshme për fazën kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026. Armand Duka ishte i ftuar në studion e emisionit “Opinion”, ku ka folur më tepër rreth kësaj sfide. Presidenti i FSHF-së ka thënë se lojtarët janë mjaftueshëm të motivuar dhe se nuk duhen mbingarkuar nga opinioni publik. Duka ka theksuar faktin se kjo përballje do të jetë një derbi sportiv, pasi do të vendosë shumë edhe për vendin e dytë në grup, i cili të dërgon në “play off” të Kupës së Botës.

“Nuk mund ta fsheh që (ndeshja me Serbinë) ka emocion shumë. Jo vetë nga ajo që ndodhi në Beograd, por ka shumë ngarkesë, ka shumë emocion. Mundohemi ta çdramatizojmë të gjithë. Silvinjo e njeh historinë e Shqipërisë e njeh mentalitetin e shqiptarëve, jeton me këtë lloj mentaliteti. Edhe ka lexuar, edhe ka biseduar me ne. E përjeton në një farë mënyre. Ndoshta jo njësoj si ne, ndoshta jo njësoj si futbollistët nga Kosova, por e njeh realitetin.

Lojtarët e dinë që është një ndeshje futbolli. Ne duhet ta luajmë si një ndeshje futbolli, ta performojmë si një ndeshje futbolli dhe ta fitojmë si një të tillë. Nëse ne arrijmë ta bëjmë këtë, kemi realizuar edhe shumë gjëra të tjera. Ne nuk duhet ta mbingarkojmë situatën. Duhet që i gjithë interesi i të gjithë shqiptarëve, si brenda edhe jashtë stadiumit, të jetë për ta ndihmuar skuadrën, ta shtyjnë drejt fitores. Jo për ta mbingarkuar. Detyra patriotike sot është që të luash futboll dhe të kesh një rezultat pozitiv.

Nuk është shumë e thjeshtë që në një ndeshje të tillë të jesh vërtetë shumë i qetë. Shpresoj që deri në momentin që do të bjerë bilbili qetësia të kthehet dhe të marrim maksimumin e mundësive. Padyshim të kemi edhe ndihmën e Zotit, pasi futbolli është edhe fat. Për ne kjo është një ndeshje e rëndësishme sportive. Është një ndeshje e rëndësishme për objektivin sportiv. Futbollistët dhe të gjithë ata që e mbështesin dhe e duan Kombëtaren kështu duhet ta mbështesin, që ne kemi shpresë që të shkojmë në “play off”. Vendi i parë në këtë grup është shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Kështu që shanset për të arritur në vendin e dytë janë mes nesh dhe Serbisë dhe kjo e kthen akoma më shumë këtë ndeshje në një derbi sportiv”, ka thënë Armand Duka./Sport Ekspres/