Shqipëra do të luajë nesër në mbrëmje, duke nisur nga ora 20:45, sfidën e saj të tretë në fushatën kualifikuese për në Kupën e Botës 2026. Një ndeshje e veçantë për kuqezinjtë, pasi përballë do të kenë përfaqësuesen e Serbisë. Gjimshiti është paraqitur përkrahë Silvinjos në konferencë për shtyp për të shuar kureshtjen e gazetarëve në prag të këtij dueli kaq të rëndësishëm. Kapiteni i Kombëtares shqiptare ka theksuar se ekipi është përgatitur mjaft mirë për këtë takim, ku do të synojnë 3 pikët.
“Po kisha 3-4 ditë pushim. Shkova të shihja gjyshen dhe gjyshin në vendlindje. Ishte një gjë shumë e rëndësishme për ta bërë. Porosia e tyre ishte ajo që e keni dëgjuar të gjithë. Ne gjithmonë kërkojmë fitoren. Kështu do të jetë edhe nesër, përballë një kundërshtari shumë të fortë. Nesër duhet të fokusohemi të futbolli, sidomos te paraqitja jonë si Kombëtare. Emocionet sigurisht që duhet të jenë në një ndeshje futbolli, por duhet të përmbahemi nesër dhe të mendojmë vetëm për 3 pikët.
Mesazhi që mund të jap është që të japim gjithçka në fushë. Të japim të gjithë atë që jemi përbrenda. Pastaj tifozët do të na duartrokasin, të ndodhë çfarë të ndodhë. Jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje. Kemi pasur kohë kësaj herë për ta studiuar mirë kundërshtarin, i cili është shumë i fortë. Por kemi punuar edhe lojën tonë që duhet të bëjmë nesër. Kështu që jemi të përgatitur. Vetëm me Samarxhiçin kam folur, e kam përditë në stërvitje. Por nuk do e them këtu se çfarë kemi folur, por bisedat kanë qenë normale. Çfarë bisedoj me gruan time serbe rreth kësaj ndeshjeje? Nuk kam ardhur për t’u përgjigjur për jetën time private. Kam ardhur këtu për të folur për futboll”, ka deklaruar Berat Gjimshiti./Sport Ekspres/