Shqipëra do të luajë nesër në mbrëmje, duke nisur nga ora 20:45, sfidën e saj të tretë në fushatën kualifikuese për në Kupën e Botës 2026. Një ndeshje e veçantë për kuqezinjtë, pasi përballë do të kenë përfaqësuesen e Serbisë. Silvinjo është paraqitur në konferencë për shtyp. Ku i është përgjigjur pyeteve të gazetarëve të pranishëm. Trajneri brazilian vlerëson kundërshtarin, por nga ana tjetër thekson se Shqipëria ka lojtarë të një niveli po aq të lartë.
“Ata janë një ekip i fortë, këtë tani ne e dimë. Kanë lojtarë të fortë individualisht, si Mitroviç, Vlahoviç, Joviç. Por nga ana tjetër edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë si Broja, Uzuni, Bajrami, Manaj, për të cilët jamë shumë i lumtur. Ky rrugëtim drejt Botërorit është shumë i shpejtë, kështu që presim si do të shkojë. Por do të futemi në fushë për të marrë 3 pikët. Kam parë shumë trajnerë që ankohen për situatën e lojtarëve pas sezonit. Kalendari është i vështirë. Kemi bërë 5-6 ditë stërvitje shumë të mira. Kundër Andorrës bëmë diçka ndryshe. Por ky është një kundërshtar tjetër, fizikisht, teknikisht, ka tranzicion të shpejtë gjithashtu. E kam pak a shumë në mendje 11-shen për nesër.
Nuk kemi gjë për të fshehur. Ne kemi parë 5-6 ndeshje të fundit të tyre, ata kanë parë të tonat. Nuk shqetësohem për spinumet, nuk shqetësohem për asgjë. Po flasim për lojtarë të fortë të tyre, që i njeh bota, por edhe për lojtarët tonë. Sigurisht që është një garë tjetër. Gjithmonë do të jetë ndryshe. Për të gjithë ata që janë këtu do të jetë një garë shumë e bukur sportive.
T’i argëtojmë 22 mijë tifozët që do të jenë në stadium. Nesër do të jenë një lojtar shtesë për ne. Kam dëgjuar për 200 mijë kërkesat. Ta shijojmë këtë garë të vështirë. Lojtarët janë të përgatitur. Kam luajtur shumë ndeshje të mëdha. Në rastin tim, po flas për më shumë se 15 vite me parë, kur nuk kishte rrjete sociale. Kështu që ishte më e lehtë për mua. I them lojtarëve që për 1 orë e gjysmë apo 2 orë stërvitje duhet të përqendrohen vetëm aty. Por nuk mund t’i shmangësh dot rrjetet sociale. Mesazhi im është që të lënë zemrën në fushë. Kanë një mundësië përpara për të bërë diçka të mirë”, ka deklaruar Silvinjo./Sport Ekspres/