Shqipëria ka barazuar në shifrat 0-0 kundër Serbisë. Kuqezinjtë kanë zhvilluar një ndeshje fantastike kundër serbëve, por në fund nuk arritën dot që të marrin tre pikët, me të cilat mund të ishim më të qetë për të arritur në vendin e dytë. Një barazim që i shkon përshtat Serbisë, ndërsa Shqipëria mund të qajë sot dy pikë të humbura, por me një ndeshje të mirë të zhvilluar.
Menjëherë pas ndeshjes, trajneri i Serbisë, Stojkovic, nuk ia kursyer lëvdatat për Shqipërinë dhe për tifozët e Shqipërisë. Pavarësisht se në mediat serbe është thënë se lojtarëve të Serbisë iu rrezikua jeta në Tiranë, Stojkovic ka mbajtur tërësisht një linjë tjetër duke dalë jashtë mënyrës së interpretimit të mediave serbe.
“Nuk ju pëlqeu loja e Serbisë? Atëherë gjeni një trajner të ri! Një ndeshje shumë e vështirë, konkurruese, Shqipëria është një ekip cilësor, konkurrues, ne treguam me formacionin tonë se erdhëm për fitoren. I përgëzoj tifozët shqiptarë, kur shoh gjithçka mendoj se pika është më e ëmbël për ne sesa për Shqipërinë.
Atmosfera ishte fantastike për futbollin, do të doja të kishim një tifozeri si kjo e Shqipërisë. Sa për gjëra të tjera, nuk pashë asgjë, sinqerisht isha i përqendruar në lojë. Kur u dha ajo penallti, isha sikur më kishin goditur me cekic, por Petrovic ishte fenomal sot”, tha Stojkovic. /Sport Ekspres/