Notat e Kombëtares për Serbinë/ Hysaj, ti je? Mitaj nuk e meriton Shqipërinë, bukur Broja 

Shqipëria ka barazuar 0-0 ndaj Serbisë në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit. Një takim ku kuqezinjtë kanë ndarë pikët me Serbinë, ndërsa fitorja ishte shumë e afër, por për fat të keq, fati nuk ishte aspak në anën tanë për të dalë me 3 pikë nga kjo përballje. Më poshtë gjeni vlerësimet e bëra nga Sport Ekspres për lojtarët e Kombëtares. 

Strakosha (6.5): “Ndeshje shumë e mirë e Strakoshës. Më në fund vjen një pritje e tij që mban në lojë ekipin dhe na jep një pikë. Në momentin kur të gjithë prisnin golin e Shqipërisë, Mitrovic gjendet para tij dhe Strakosha bën një pritje spektakolare duke evituar golin e sigurt me instikt. Ndeshje e mirë, ofroi siguri” 

Hysaj (7.5): “Më parë e kemi kritikuar me të drejtë, por kundër Serbisë, Hysaj nxori ndeshjen e jetës. Ndeshje spektakolare nga ana e Hysajt, nuk la thuajsë asnjë krosim nga krahu i tij, fitoi shumë duele vendimtare dhe fitoi penalltinë që Manaj e humbi aq lehtë. Shkodrani nxori ndeshjen më të mirë në Kombëtare të këtyre viteve të fundit. Por një moment në pjesën e parë tregon gjithë Hysajn te Shqipëria. Fitoi një duel vendimtar në zonën tonë duke hequr topin dhe më pas duke u menduar gjatë për të dhuruar pak spektakël, gaboi në pasim dhe hapjen e topit. Hysaj është shumë i bukur kur luan thjeshtë, duhet të kuptojë limitet e vetes”. 

Gjimshiti (6.5): “Dicka nuk po shkonte fort mirë për kapitenin tonë dje kundër Serbisë. Rrallëherë ndodh që ta shohësh t’i iki kundërshtari sic ndodhi me Valhovic, aty ku mori edhe kartonin e verdhë. Dhe në dy momente të tjera shfaq mungesë vëmendje, por për fatin e madh, këtë herë krahu i mbrojtjes ishte i blinduar dhe pak topa po hynin në zonë duke shpëtuar një mbrëmje jo fort të mirë të kapitenit”. 

Ajeti (6.5): “Ndeshje e mirë për Ajetin që tani ka marrë vendin e Ismajlit. Në disa momente topi i shkon huq dhe nuk i dalin parashikimet sipas idesë së tij, topi nuk po i përgjigjej siç dëshironte. Në një moment në pjesën e dytë, në një duel në mesfushë, lojtari i Serbisë e nxori hoq dhe i mori kohën, sic bëri Kane te goli i Angli-Shqipëri. Kjo është ajo që të frikëson paksa, Ajeti është i pakalueshëm, por në një moment, prish gjithë kështjellën që ka ndërtuar”. 

Mitaj (8): “Nëse Shqipëria do të ishte ekip në një kampionat dhe jo Kombëtare, Mitajt do t’i thonim: “Vëlla, shiko për më larg, je për shumë sesa kaq”. Praktikisht i vetmi futbollist që nuk ka frikë të mbajë topin në këmbë, të driblojë dy-tre dhe katër kundërshtarë, të fitojë çdo duel dhe të jetë gjakftohtë, në momentet që të gjithëve niset t’u dridhet këmba. Është kaq shumë i ri, po kaq shumë i talentuar dhe fatkeqësisht, është vetëm një. Ua kishim thënë që në fillim që kjo do të ishte ndeshja e Mario Mitajt…” 

Qazim Laçi (6.5): “Ndeshje e mirë edhe për Qazim Lacin, shumë shpirt dhe grint e vendosur në fushën e lojës, shpesherë edhe disa lëvizje që i befasonin edhe kundërshtarët. Nga dëshira e madhe për të dalë në sulm dhe topi të shkojë më afër portës së Serbisë, bën disa gabime të thjeshta në pasime”. 

Kristjan Asllani (7): “Asllani e ka treguar rritjen dhe minutat e marra së fundmi me Interin. Në fillim, nuk po hynte dot në lojë ashtu sic dëshironte. Vetëm pak kohë iu desh dhe menjëherë filluan topat që mund të mbërrijnë vetëm nga këmbët e Asllanit. Lëvizjet me trup pa e prekur fare topin, janë një tjetër klas më vete që e zotëron vetëm Asllani. Ndeshje shumë e mirë e tij”. 

Julian Shehu (7.5): “Fenomenal! Nëse shikon karrierën dhe mënyrën sesi është rritur, të lë pa fjalë. Nëse dikush kishte dyshime se e lavëdëruam më kot më parë pasi po luanim vetëm kundër Andorrës, Julian Shehu e tregoi veten edhe ndaj Serbisë, ndaj lojtarëve të kampionateve më të forta në Europë, sesa vlen. Thyerje, guxim, marrje topi, hapje topi, ishte fantastik në çdo veprim, tani mund të themi pa frikë se e kemi gjetur Gjasulën e ri”. 

Armando Broja (7): “Ka të gjitha cilësitë dhe potencialin për të bërë diferencën. Pavlovic nuk e përmban dot, mbrojtësi i Milanit ndëshkohet me të verdhë nga dueli me shqiptarin. Një tjetër sprint i fuqishëm në pjesën e dytë, por nuk ishte askush në qendër për të shtyrë topin në rrjetë. E tha edhe vetë pas ndeshjes, duhet të marrë minuta në klub për të shënuar më pas në Kombëtare, kështu, mund të jap vetëm disa shpërthime, por ende pa shpërblyer deri në fund ngritjet në këmbë të tifozëve shqiptarë sa herë thirret emri i tij”. 

Arbër Hoxha (6): “Ndeshje jo e mirë për Arbër Hoxhën. E kishte punën e vështirë dhe mes dëshirës së madhe për të lënë mbrapa kundërshtarët në driblim, merrte disa vendime të gabuara. Nuk ishte mbrëmja e tij, pavarësisht se ishin të gjitha shpresat te ai”. 

Rei Manaj (4.5): “Ishte i vetëm që duhej të luftonte mes 2-3 mbrojtësave të Serbisë, pasi Broja dhe Hoxha ishin më të hapur në krahë. Milenkovic e kthen në Van Dijk, serbi i merr thuajse të gjitha duelet në ajër, Manaj bie në tokë dhe nuk fiton kurrë faull. Dukej i konsumuar fizikisht që në nisje të lojës, ndoshta edhe nga viroza që ka kaluar. Më pas kur humbet atë penallti, i vendos kapakun historisë. Penallti mund të humbasin të gjithë lojtarët nëpër botë, por jo kaq lehtë në një ndeshje kundër Serbisë”.