Armando Broja i ka dhënë një mbrëmje të keqe Pavlovic. Mbrojtësi i Milanit vuajti shumë me shkëputjet dhe mënyrën e lojës së Brojës, i cili u shkëput në dy tre momente duke ngritur në këmbë gjithë tifozët. I ftuar në Koha Shtesë, Dritan Dervishi, zyrtari i Veronës, nuk i ka kursyer elozhet për Brojën. (Emisionin e plot e ndiqni më poshtë)
“Armando Broja është i vetmi talent që ka Kombëtarja në sulm. Mos të diskutojmë më tutje, nuk ke se çfarë diskuton. Broja dje luajti në një krahë që nuk ka se çfarë i duhet, nuk duhet të rrijë Broja aty në krahë të majtë. E degjeneroi Pavlovicin? Broja edhe Baresin apo Maldinin e artë të kishte, në një moment do t’i shkëputej, jo më Pavlovicin e Milanit. Ka një fuqi fizike dhe një sprint të shpejtë, një shkëputje të madhe. Ka fizik, 1.90 djalë që të fsheh topin dhe tallet me ty. Pastaj dëgjojmë që Broja ishte i lodhur, por nuk duhet futur Broja në krahun e majtë”, tha Dervishi.
Gjithashtu Dervishi mendon se ai rasti i humbur, ku Broja i lë targën Pavlovic në krahë pas pasimit të Hysajt, pavarësisht se mbrojtësi kundërshtar ishte më i avantazhuar dhe në fund Broja dha pasimin që nuk gjeti askënd nga shokët e ekipit, ishte më i pastër dhe i thjeshtë sesa penalltia. Për fat të keq, Manaj dhe Hoxha nuk e mbajtën ritmin e Brojës dhe nuk e sulmuan zonën, atje ku goli do të ishte i sigurt.
“Ai rasti i humbur, ishte më i thjeshtë se penalltia. Broja po e mbante bukur topin në anën e kundërt të kundërshtarit dhe kur të gjithë menduan se e humbi topin, jep asistin që topi thjeshtë duhej të shtyhet në rrjetë. Ishte një cokollatë. Ishte mëkat, Manaj ose Hoxha duhej të ishte aty për ta shtyrë topin në rrjetë”, tha Dervishi. /Sport Ekspres/