Artan Hoxha ishte i ftuar në “EuroNeës” atje ku foli sa i përket ndeshjeve të qershorit të Shqipërisë dhe njëkohësisht për ndeshjen e kthimit me Serbinë, e zhvendosur nga Leskovaci në Beograd. Hoxha u shpreh se Shqipëria nuk ka më asnjë shans për të kapur vendin e dytë në grup.
“E organizuam mirë ndeshjen me Serbinë në Tiranë, por unë kam një propozim, të hiqet alkoli i servirur në stadium për ndeshjet e Kombëtares. Disa tifozë vijnë të alkolizuar, një tjetër shtysë ja jep ti me alkolin në stadium dhe bëhen ndonjëherë disa gjëra që duhet të evitohen.
Tani Serbia e ka dërguar ndeshjen në Beograd, ka zgjedhur këtë stadium sepse është më i kontrollueshëm, është olimpik dhe ka më shumë largësi mes tifozerisë dhe lojtarëve në fushën e lojës, ka shumë distancë. Ndryshe nga Air Albania që tifozët janë shumë afër lojtarëve dhe mbaj mend te Shqipëri-Serbi kur hyn serbët për stërvitje, shkuan afër tifozëve të Shqipërisë dhe po godisnin me top pjesën rrethuese të stadiumit te reklamat për të provokuar reagimin e tifozëve.
Pasi e morën atë, më pas shkuan në mesin e fushës. Stadiumi atje në Beograd ka akustik të frikshme, janë ekipet më të forta në kontinent që kanë ndierë presionin e atij stadiumi me më shumë se 50.000 tifozë. Në atë stadium ka më pak huliganë dhe më shumë tifozë të thjeshtë.
Por që me barazimin me Letoninë dhe humbjen e dy pikëve në Tiranë, me Serbinë, për mua ka zero mundësi për të dalë në vendin e dytë. Matematikisht ka shanse edhe Andorra me Letoninë, por llogjikisht shanset tona janë zeruar. Në fund presim edhe Anglinë që ka 30 vite pa humbur në faza të tilla kualifikuese dhe prandaj unë mendoj se duhet të përgatisim ekipin për 2026 sepse kjo tani iku nga duart”, tha Artan Hoxha. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/