Të rinjtë nga bota tregojnë eksperiencën e tyre si vullnetarë në finalet e Europianit U-17

Kampionati Europian “Shqipëri U-17”, i zhvilluar në vendin tonë nga 19 maji deri më 1 qershor, ishte një nga eventet më madhështore që ka organizuar FSHF-ja në bashkëpunim me UEFA-n. Një ngjarje historike dhe mjaft e veçantë, që vendosi Shqipërinë në qendër të Europës dhe promovoi në mënyrë fantastike vendin tonë.

Organizimi dhe zhvillimi i këtij eventi nuk do të ishte i mundur pa angazhimin dhe punën e palodhur të rreth 200 vullnetarëve, të cilët u përfshinë në mbarëvajtjen e aktivitetit, duke mbuluar dhe asistuar në pozicione të ndryshme, si siguria, media, akreditimi, logjistika, si dhe organizimi i ceremonive hapëse në çdo ndeshje.

Përveç vullnetarëve shqiptarë, rreth 10 djem e vajza nga e gjithë bota dhanë kontributin e tyre në këtë eksperiencë.

Aruuke Aidaralieva, me origjinë nga Kurdistani dhe studente në vendin tonë, rrëfen për fshf.org eksperiencën e saj në këtë event. “Ishte hera ime e parë në Shqipëri dhe në fakt ishte një eksperiencë shumë e bukur. Nuk kam marrë pjesë më parë si vullnetare në evente futbolli, por në vendlindjen time, Kurdistan, kam qenë vullnetare në sport në përgjithësi. Ishte një eksperiencë shumë e mirë dhe do t’ja rekomandoj të gjithë shokëve të mi.

Dua të falënderoj Sarën dhe kam shumë respekt për grupin e vullnetarëve dhe për organizimin. Ishte diçka shumë e bukur në Shqipëri, dhe veçanërisht me ekipin tuaj. Ju falënderoj shumë për këtë eksperiencë”.

Dauda Ibrahim Dachia, gjithashtu student në Shqipëri, me origjinë nga Afrika vlerëson pjesëmarrjen në këtë aktivitet dhe tregon eksperiencën e tij.

“Kam marrë pjesë në disa aktivitete vullnetarizmi në vende të ndryshme si Poloni, Çeki, Greqi dhe Holandë. Gjithashtu, jam vullnetar edhe këtu në Kryqin e Kuq. Kjo eksperiencë do të më ndihmojë shumë në të ardhmen, sepse pavarësisht llojit të vullnetarizmit, ai ka një ndikim pozitiv në shoqëri. Për më tepër, përvojat që fiton në vullnetarizëm të ndihmojnë edhe në karrierën profesionale, pasi gjatë kësaj kohe fiton aftësi dhe eksperiencë që mund t’i kërkojë një institucion, shkollë apo organizatë.

Dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit për mundësinë që më dha për të marrë pjesë në këtë program. Falënderoj gjithashtu të gjithë ata që punuan për ta bërë të mundur këtë program, si dhe shokët që u bashkuan dhe treguan energjinë dhe motivimin e tyre për të ndihmuar, gjë që është shumë e rëndësishme. Falënderoj të gjithë që ishin pjesë dhe i uroj suksese të mëtejshme për këtë program”.