Formati i ri i Botërorit të Klubeve do të nisë për të parën herë në orën 02:00 të mëngjesit të ardhshëm me orarin e Europës Qendrore. Një kompeticion mjaft i diskutuar dhe i kundërshtuar edhe nga vetë futbollistët për shkak të shtimit mjaft të madh të ndeshjeve përgjatë një sezoni. Turneu duket se nuk është pritur mirë edhe nga tifozët, çka dëshmohet nga interesimi i ulët i tifozëve për të ndjekur përballjet në stadium.
FIFA ka ulur ndjeshëm çmimin e biletave për ndeshjen hapëse mes Al-Alhlisë dhe Inter Majemit, por sërish shitjet kanë qenë poshtë pritshmërive. Për këtë arsye organizimi më i lartë i futbollit botëror ka vendosur që të gjejë një zgjidhje ndryshe për të zbukuruar imazhin e këtij turneu.
Sipas “Daily Mail”-it, FIFA ka ndryshuar ulëset e personave që kanë blerë një biletë për në Botërorin e Klubeve. Tifozët do të zhvendosen në një ulëse që shfaqet në kamerat e televizionit. Një hile e përdorur nga FIFA për të “mashtruar” shikuesit nga shtëpia, të cilëve do t’i krijohet përshtypja e një stadiumi të mbushur./Sport Ekspres/