Shkodra është vendi ku futbolli merr një përjetim të një niveli tjetër në Shqipëri dhe më mirë se të gjithë, këtë e dinë trajnerët që punojnë në atë ambient. Kur fitojnë, marrin një kënaqësi të punës së bërë që e gjen pakkund në vende të tjera në Shqipëri, por kur nuk fitohet, presioni është aq i madh sa rreziku i shkarkimit është prezent në çdo moment.
Kjo ndodh sigurisht në vende ku futbolli përjetohet më shumë sesa një sport i thjeshtë dhe e parë në këtë prizëm, Shkodra është për t’u duartrokitur. Për fatin e keq, në vitet e kaluara kjo skuadër ngeli shumë mbrapa për shkakun e keq menaxhimit të Bashkisë. Me Alban Xhaferin situata ndryshoi tërësisht, pavarësisht se Vllaznia nuk e ka marrë ende titullin e munguar, por të paktën është aty, afër, ndryshe nga më parë që ende mes vendeve të mes tabelës apo të fundit.
Dhe një tjetër kërkesë absurde vjen nga Bashkia e Shkodrës. Kur të gjithë presin në Shkodër sesi do të performojë ekipi i tyre në ndeshjet e Europës dhe nëse Vllaznia do t’i nderojë jo vetëm sportadashësit e saj, por të gjithë shqiptarët, pasi përfaqëson Shqipërinë në Europë, Bashkia e Shkodrës kërkon të bëj koncerte në stadium me Bujar Qamilin. Megjithë respektin për një këngëtar dhe figurë të tillë artistike në Shqipëri, por stadiumi dhe fusha e blertë nuk është vendi më ideal i mundshëm në këtë moment për të bërë koncerte të këtij lloji pasi dihet dëmtimi që i shkakton barit të fushës. Klubi i Vllaznisë e ka refuzuar kërkesën e Bashkisë së Shkodrës, por ajo që habit është “mendja gjeniale” që e ka menduar një aktivitet të tillë. /Sport Ekspres/