Një tjetër prapaskenë e çuditshme ka ardhur për trajnerin Silvinjo dhe mënyrën sesi ai po e menaxhon situatën në grup. Në ndeshjet e fundit ra në sy lënia jashtë e mbrojtësit Enea Mihaj. Por përse ndodhi ky përjashtim? Gazetari dhe moderatori i emisionit, Altin Sulce, ka treguar prapaskenën se çfarë ka ndodhur në këtë rast. Sipas tij, Silvinjo i ka kërkuar Enea Mihajt që të vinte tre ditë para grumbullimit në Tiranë. Ndërkohë Enea Mihaj martohej të dielën dhe Shqipëria grumbullohej të hënën.
Madje mbrojtësi ka marrë edhe leje nga Silvinjo, të paktën e ka kërkuar një gjë të tillë, pasi trajneri i Shqipërisë e ka refuzuar. Tërësisht e habitshme jo vetëm për faktin se një gjë e tillë është prioritet, pra kurorëzimi i një cifti dhe krijimi i familjes, vecanërisht duke ditur se nuk do të humbiste thuajse asnjë ditë stërvitje, por edhe për faktin se Enea Mihaj vjen i fundit në rend kur bëhet fjalë për qendër mbrojtësit dhe nuk është përdorur thuajse kurrë.
“Unë kam një informacion, Mihaj nuk është grumbulluar pasi Silvinjo i ka thënë: “Hajde tre ditë para grumbullimit”. Ekipi kombëtar grumbullohej të hënën, ndërkohë Mihaj kishte dasmën, do të martohej. Silvinjo nuk ishte dakort, ndërsa për Mihajn kishte vetëm një zgjidhje, të shtynte martesën, ndërkohë që ekipi të hënën do të grumbullohej gjithsesi. Mihaj kishte kërkuar leje, martohej të dielën, por Silvinjo e kërkon ditë para”, tha Sulce, ndërsa të ftuarit në studio thanë se e gjitha kjo është një alibi e Silvinjos që i erdhi në dorë për ta lënë jashtë Mihajn. /Sport Ekspres/