Ekskluzive/ Lojtari në Argjentinë pranon ftesën e Shqipërisë, vjen për herë të parë në shtator 

Një lojtari i ri do të jetë pjesë e Shqipërisë për ndeshjet e shtatorit. Më në fund një emër e ri pas shumë kohësh do të shfaqet në listën e Kombëtares tonë, për ndeshjen e shtatorit që do të zhvillojmë kundër Letonisë.  

Bëhet fjalë për Tomas Guidarën, i cili do të vishet kuqezi. Një emër i folur që në kohën e Panuçit, por atëherë lëvizja nuk do të konkretizohej për shkak se Panuci do të largohej në saj të mungesës së rezultateve. Më pas emri i Guidarës është rishfaqur me Silvinjon dhe me Zabaletën që nuk mund t’i ikte Guidara në Argjentinë.  

29-vjeçari dhe arbëreshi Guidara, luan pikërisht në Argjentinë te ekipi i Huascan. Në konferencën për shtyp para ndeshjeve të qershorit, Silvinjo tha se po e ndiqte nga afër një lojtar në Argjentinë, pa e përmendur emrin e Guidarës. “Sport Ekspres” ka pasur një komunikim me Tomas Guidarën nëpërmjet mesazheve në telefon dhe lojtari është shprehur: “Është një krenari e madhe që të përfaqësoj vendin tim, por do të flasim sërish pas disa ditësh pasi kemi një finale për të luajtur në Argjentinë”. 

Kjo tregon saktësisht se gjithçka është gati dhe se Guidara ka pranuar ftesën e Silvinjos dhe mundësinë për të qenë pjesë e Shqipërisë. Megjithatë për shkak të një finale që do të luhej në Argjentinë në qershor dhe kohën e gjatë të udhëtimit, është menduar që Guidara t’i bashkohej Shqipërisë në muajin shtator dhe jo për ndeshjet e qershorit. 

Një lëvizje e mirë kjo nga ana e Shqipërisë pasi Guidara luan në krahun e djathtë të mbrojtjes. Pavarësisht moshës jo të vogël, 29-vjeç, duke parë performancat e dobëta të Balliut dhe uljen e tij në stol në Spanjë, Guidara do të ishte një zgjidhje ideale për të rivalizuar Elseid Hysajn për një vend titullari, që pas ndeshjes me Serbinë, ka rifituar zemrat e tifozëve shqiptarë. Ndërkohë nëse Silvinjo do të shkarkohej pas barazimit me Letoninë, Guidara do të kthehej si një “mallkim” për trajnerët e Shqipërisë që e kërkonin atë pasi kjo ndodhi me Panucin që u shkarkua dhe nëse ripërsëritej me Silvinjon, do të ishte shumë. /Sport Ekspres/