Bledi Shkëmbi e ka mbyllur eksperiencën e tij me Tiranën. Ky trajner nuk do të jetë më pjesë e bardhebluve dhe vetëm pak orë pas mbylljes së këtij bashkëpunimi, ka gjetur një aventurë të re. Shkëmbi do të jetë pjesë e Strugës për dy vite, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Zyrtarizimi ka ardhur nga faqja e Strugës e cila shpreh sigurinë që do të ndërtohet një super ekip që do të dominojë futbollin në Maqedonia brenda disa viteve.
Njoftimi i plotë:
“Bledi Shkëmbi do të jetë trajneri i ri i Struga Trim Lum, duke pasuar në këtë post Ilço Gjorgjioskin…
Klubi i Futbollit Struga Trim Lum njofton zyrtarizimin e trajnerit Bledi Shkëmbi në krye të pankinës “bardhekuq”.
Pas një eksperience të gjatë si futbollistë i spikatur, e më pas edhe si trajner, klubi ka vendosur t’i besojë Shkëmbit statusin e trajnerit të ekipit të parë.
Shkëmbi është një emër i njohur në futbollin mbarëshqiptarë, teksa i njëjti së fundmi në dy periudha të ndryshme drejtonte një ndër skuadrat më të mëdha në Shqipëri, KF Tiranën.
Pasi shkëputi kontratën me “bardheblutë” nga kryeqendra shqiptare, Shkëmbi te Struga Trim Lum vjen për të nisur një rrugëtim të ri dhe më afatgjatë, ku pritet të ndërtojë një skuadër që do të luaj një rol të rëndësishëm në futbollin vendor brenda disa viteve.
Me strategun korçar kemi arritur marrëveshje dy vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ai ka vendosur që si ndihmës të ketë edhe Sabien Lilajn, një tjetër emër i njohur i futbollit shqiptarë, që gjithashtu ishte pjesë e Skënderbeut të famshëm.
Sa i përket pjesës tjetër të stafit të trajnerëve, ai mbetet thuajse i njëjtë me Meriton Gegën dhe Dejan Leskaroskin që gjithashtu do të luajnë rolin e ndihmësve, Stefan Meçkarovski do vazhdojë të bëjë punën e trajnerit kondicional, derisa Dardan Miftari mbetet trajner i portierëve”, shkruhet në njoftimin e klubit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/