Në ditën e sotme është mbajtur Asambleja e Përgjithshme e FSHF, atje ku presidenti Armand Duka ka shprehur pakënaqësinë e tij për ligjin e sportit. Ai i ka bërë thirrje Ministres së Arsimit dhe Sportit, Manastirliut që të mos votohet një ligj që synon krijimin e arbitrazhit sportiv klientelist, por të ketë një bashkëpunim me federatat dhe gruept e interesit në mënyrë që të prodhohet një ligj sporti që do t’i shërbejë në të vërtetë zhvillimit të sportit shqiptar.
“Në Komisionin Parlamentar, është propozuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, ndryshimi i ligjit për sportin. Pa mirëkuptimin e asnjë të interesuari për sportin dhe me kundërshtimin e argumentuar nga ekspertët tanë. Ai synon të krijojë një arbitrazh sportiv klientelist, aspak të pavarur dhe jo profesional.
Në emër të organizatës më të madhe sportive në vend, i bëj thirrje për reflektim MAS-së, Komisionit Parlamentar dhe Parlamentit, që mos ta votojë atë ligj. Por të bashkëpunojmë me të gjitha federatat sportive, grupet e interesit dhe të prodhojmë një paketë ligjore që do t’i shërbejë zhvillimit të sportit!”, tha Duka gjatë fjalës së tij në Asamble.
Ndërkohë një tjetër situatë që ka marrë shumë vëmendje është fakti se anëtarët e Asamblesë së FSHF kanë votuar pro për pezullimit pa afat të gjitha marrëdhënieve mes FSHF dhe KOKSH. FSHF kërkon të zbatohet plotësisht vendimi i gjykatës së arbitrazhit sportiv të Lozanës dhe të mos anashkalohet për përfitimet personale të disa individëve. Një vendim ky që i dha të drejtë FSHF dhe rrëzoi asamblenë e jashtëzakonshme të krijuar nga KOKSH që mori vendime shumë të rëndësishme dhe ku padrejtësisht u la jashtë edhe FSHF, Federata më e madhe sportive në vend. Një ngrirje marrëdhënies mes FSHF dhe KOKSH që duket se do të zgjasë derisa:
– Gjendja e ligjshmërisë të rikthehet;
– Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të zbatohet plotësisht; dhe
– KOKSH të veprojë në përputhje me statutin e vet dhe normat ndërkombëtare të vetëqeverisjes së sportit.