Gruda dhe Weiper shënuan golat për finalen, trajneri i Gjermanisë “i injoron” 2 talentet e Shqipërisé

Pak ditë më parë kemi publikuar një lajm rreth frikës së madhe që duhej të kishin shqiptarët në aspektin e futbollit sa i përket gjysmëfinales së Europianit U-21. Angli-Hollandë luhej në një krahë, por ajo që ne na interesonte ishte krahu tjetër, përballja mes Gjermanisë dhe Francës. Ajo që nuk duhej të ndodhte, ndodhi. Gjermania fitoi pastër 3-0 ndaj Francës U-21 dhe arriti në finalen e Europianit U-21, atje ku do të përballet me Anglinë. Dhe si për ta bërë akoma edhe më keq situatën, golin e parë kundër Francës e shënoi Nelson Weiper dhe të fundit Brajan Gruda. E hapi një shqiptar festivalin e golave dhe e mbylli një tjetër.

Para pak kohësh, të dy këta futbollistë kishin thënë se nëse nuk do t’i ftonte Gjermania A, më pas do t’i bashkoheshin Shqipërisë. Por ajo që nuk duhej të ndodhte, është një finale apo një trofe i fituar nga Gjermania U-21. Kjo pasi nëse Gjermania U-21 e fiton këtë turne, atëherë Nagelsman, trajneri i Gjermanisë A është i detyruar që të marrë 2-3 elementë për ekipin e parë për ndeshjet e shtatorit.

Dhe për sa kohë Nelson Weiper shënon rregullisht ndaj Anglisë, Italisë dhe Francës, është padyshim një prej atyre emrave në rrezik që mund të merrte nga Nagelsman, ashtu si edhe Brajan Gruda. Të paktën në teori sepse në praktikë, duket se nuk do të ndodh kështu. Në Gjermani ka kritika të mëdha për trajnerin Julian Nagelsman. Trajneri i Gjermanisë A nuk ka shkuar për të parë nga afër asnjë ndeshje të Gjermanisë U-21, pavarësisht se ky ekip ka shkuar në finale.

Gazetarët gjermanë janë të habitur sesi Nagelsman, që nuk ka asnjë angazhim tjetër përveç punës si trajneri i Gjermanisë A, nuk sheh nga afër talentet e tij të moshës U-21 që po korrin rezultate të tilla mbreslënëse në Europianin e të vegjëlve. Pra Nagelsman nuk ka parë asnjë nga ndeshjet e këtyre futbollistëve nga stadiumi, ndërsa pritet që mes këtyre kritikave të mëdha të jetë prezent për finalen e madhe Gjermani-Angli U-21. Madje mediat gjermane theksojnë se i vetmi trajner i ekipeve të para nga ekipet e mëdha që ka parë ndeshjet në stadium ka qenë ai i Italisë, Gatuzo.

Në një farë mënyrë Nagelsman ka injoruar edhe performancat e mira të dy shqiptarëve të cilët nuk janë parë nga afër nga trajneri i Gjermanisë. Për Weiper duket më e vështirë të marrë një ftesë nga Gjermanisë A pasi gjithë vëmendjen e ka marrë sulmuesi tjetër, Woltemade, që është si një përbindësh golash. Një lajm i mirë ky për Shqipërinë pasi edhe Weiper është një nuhatës i mirë i golit, por Woltemade është shumë më larg ëeiper në cilësi. Ndeshja finale do të vendos shumë edhe për fatin e tyre, nëse Gruda dhe Weiper do të vijnë te Shqipëria apo të ngelin te Gjermania. /Sport Ekspres/