Një teatër i madh në Shqipëri! Kur vjen puna për të votuar disa aspekte që mund t’i japin pak përparësi vendit tonë, qoftë edhe në fusha dytësore që nuk prekin direkt jetesën e qytetarëve, por u japin sadopak ndjenjë krenarie, edhe aty, politika kërkon që të fus hundët për përfitimet e saj, duke mos punuar për të mirën e mundshme.
Sot në parlament u votua për disa ndryshime për Ligjin e Sportit, një projektligj i propozuar nga kreu i KOKSH, Fidel Ylli, që ka ngjallur shumë reagime të ashpra nga aktorët e futbollit. Gjithashtu në kuvend, deputetja e partisë demokratike, Ina Zhupa, cilësoi se një ligj i tillë, i jep në dorë gjithçka KOKSH dhe në thelbin e tij ka ndikimin dhe fuqinë e politikës mbi sportin.
KOKSH-i mbi të gjithë, KOKSH-i mbi gjithçka! Ina Zhupa theksoi se ky ligj ishte i dirigjuar vetëm nga Fidel Ylli, ndërsa për përmirësimin e tij nuk u fol me asnjë Federatë tjetër sportive dhe me asnjë aktorë tjetër futbolli. Por është një vendim i marrë nga kreu i KOKSH, që nëpërmjet këtij projektligji i jep fuqinë vetes dhe bën që nga buxheti i shtetit të dalin para pikërisht dhe veçanërisht…për KOKSH-in, jo sportin.
Gjithashtu do të krijohet edhe një CAS shqiptar për t’i zgjidhur këtu çështjet ligjore dhe problemet e këtij lloji, që pavarësia e tij, jo vetëm që lë për të dëshiruar, por është fare e lehtë e kuptueshme sesi mund të kontrollohet. Në këtë linjë ishte Ina Zhupa që tha se Federata e Futbollit në Shqipëri veproi zgjuar duke dalë nga KOKSH përpara kohe, përpara se ky ligj të kalonte për miratim pasi kurrsesi një CAS i tillë nuk mund të jetë i pavarur, kur gjithçka është shkruar nga dora e Fidel Yllit, pa pasur një bisedë apo konsultë me njerëzit e tjerë të futbollit.
Një teatër i madh që i shkon në favor jo sportit dhe futbollit, por vetëm KOKSH, ndërsa një projekt ligj të tillë, njeriu i politikës që ka qenë më afër futbollit shqiptar në gjithë këto vite, pavarësisht figurës së tij që mund të pëlqehet apo jo nga njerëzit e futbollit për shkak të bindjes dhe preferencave të tij, Erion Braçe, të paktën kishte guximin dhe dinjitetin për të mos e votuar, duke e abstenuar. /Sport Ekspres/