Mision i përmbushur me sukses për Egnatian. Kampionët e Shqipërisë kanë mposhtur ne shifrat minimale 1-0 Breidablikun. Një ndeshje e dominuar nga rrogozhinasit, te cilët flirtuan shpesh me golin, por e gjetën rrugën e rrjetës vetëm në minutën e 92-të. Ishte afrimi më i ri në merkato ai i cili i dha fitoren Egnatias. Bëhet fjalë për Ildi Grudën, që debutoi me gol për rrogozhinasit. Pas përfundimit të sfidës, Edlir Tetova ka dhënë përshtypjet e tij të para për mikrofonin e “SuperSport”.
“Në pjesën e dytë mendoj se kemi qenë superiorë. Kemi qenë përpara portës. Jam i kënaqur nga rezultati. Afrimet e verës? Jam i kënaqur. Janë lojtarë që kanë qenë në listën time. Akoma nuk janë në ritmin e skuadrës, por sot bënë shumë mirë. Nuk mendoj se sot ndikoi euforia. Por sot na u prish plani (prej dëmtimit të Ndrecës në minutat e para). Duke ditur që ne nuk kemi zëvendësues për momentin… Sigurisht që kemi marrë (zëvendësues) por për shkak të dokumentave në këtë tur ai do të mbetet jashtë.
I vetmi shqetësim është ritmi i skuadrës kundërshtare, sepse janë në javën e 15 në kampionat. Janë në top xhiro. Ndeshja atje do të jetë më e kujdesshme. Sot goditëm edhe traversën, por gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen tjetër. Poçi nuk është blerja më e goditur, sepse lojtarët i zgjedh në bazë të karakteristikave që më duhen për ekipin tim. Mendoj që ka bërë një ndeshje të mirë. Nuk është ende në 100%-shin e vetë. Por me kalimin e kohës do të jetë më pranë grupit dhe do të bëjë ndeshje më të mira.
Kundërshtarin e kishim studuar. Kishim menduar të bënim një markim një kundër një, sepse duke ditur ritmin e kundërshtarit provuan të fitonim ndonjë top në rivëniet që ata bënë. Nuk ia arritëm. Nuk më surprizuan, vetëm dy herë që zbritën në kundërsulm në pjesën e parë. Pjesa tjetër shkoi ashtu siç e kishim punuar. Duhet të fokusohemi, asgjë nuk ka përfunduar”, ka deklaruar Edlir Tetova./Sport Ekspres/