Vllaznia shtanget në shtëpi. Shkodranët janë mposhtur me rezultatin minimal 0-1 nga Daugavpilsi. Kuqeblutë patën rastet e tyre gjatë lojës, por pa mundur të gjejnë rrugën e rrjetës. Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 85 dhe mban autorësinë e Lizunovsit. Pas përfundimit të ndeshjes, Edi Martini ka dhënë përshtypjet e tij të para për mikrofonin e “RTSH”-së.
“Kishim rastet tona. Duhet ta shënonim ne. E kontrolluam lojën. Patëm rastet tona, por ky ishte futbolli. Të përgatitesh një muaj dhe në fund 4 lojtarë ikin ose dëmtohen… Normalisht që nuk është e lehtë. Një goditje në portë dhe shënuan? Kjo më dhemb më shumë. Rezultati 0-0 do të ishte më mirë se sa 0-1. E vumë kundërshtarin poshtë gjatë gjithë lojës. Por kam besim, është një ndeshje tjetër dhe besoj se mund ta kthejmë atje. Është një kundërshtar i vështirë. Janë shtatlartë dhe rrinë 10 lojtarë pas në 30 metrat e fundit. Është e vështirë t’i çash. Nuk e di a u pa në televizor, por pati edhe moviolë për penallti. Është shumë i rëndësishëm për ne kalimi i këtij turi, si për financat, si për lojtarët”, ka thënë Edi Martini./Sport Ekspres/