Loja e pisët e Interit me Kristjan Asllanin dhe mungesa e respektit, tani bien kritikat mbi shqiptarin

Ndonjëherë ëndrrat e bukura që po realizohen dhe po jetohen nuk janë të vërteta. Ky ishte rasti i Kristjan Asllanit, një tifoz i hershëm i Interit, që në fëmijëri ishte mbështetësi i flaktë i zikaltërve. Papritur e pa veten në një moshë fare të vogël që të ishte pjesë e Interit. Si një yll i madh u afrua në këtë ekip mes fjalëve të mëdha të thëna nga Lukaku dhe drejtuesit e ekipit, ndërsa në miqësoret e para përgatitore, Di Marco i kërkonte të tjerëve që t’ia linin topin në goditjet e dënimit mesfushorit shqiptar pasi kishte më shumë aftësi se ta në këtë aspekt.

Por më pas Inzaghi nuk i dha më hapësira dhe Asllani humbi shumë besim në vete, duke mos treguar asgjë nga aftësitë e tij. Me ardhjen e Chivu, Asllani u kthye titullar në Botërorin e klubeve, por ai eliminim i hershëm nga ky kompeticion i kushtoi shumë edhe shqiptarit. Pak ditë më parë në media qarkulloi lajmi se drejtuesit e Interit ishin mërzitur shumë me Asllanin dhe se këtë herë qasja e tyre nuk do të ishte më me dashamirësi, por ishte tërbuar me të.

Kjo pasi Asllani kërkon të qëndrojë në Serie A me çdo kusht dhe kishte refuzuar disa oferta nga jashtë Italisë, mes tyre edhe Betis. Interi kërkon që ta largojë nga skuadra për një ofertë të mirë, ndërsa Asllani kërkon që të largohet nga zikaltërit vetëm nëse e merr një skuadër tjetër në Itali, shuma e së cilave nuk vjen në interesin e Interit. Dhe dje ka shpërthyer gjithcka teksa drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio, e tha hapur: “E kemi informuar Kristjan Asllanin se duhet të gjejë një ekip tjetër”.

Sigurisht që një deklaratë e tillë e bërë publike është një mungesë e madhe respekti karshi mesfushorit të Shqipërisë. Në situata të tilla, klubet mbajnë sa më të fshehura tratativat dhe negociatat që bëhen për të larguar futbollistët, por këto fjalë të thëna për Asllanin ishin publikisht, duke ulur figurën e shqiptarit. E ka një arsye mbrapa pasi në këtë mënyrë drejtori sportiv i Interit siguron se nëse Asllani vazhdon të mos i bindet urdhërave të drejtuesëve për t’u larguar nga klubi, në fund ai do të marrë përsipër komente të tjera fyese dhe denigruese nga tifozët e Interit që tanimë e dinë faktin se drejtuesit e klubit i kanë thënë të largohet dhe Asllani nuk është larguar ende. Pra një mungesë e madhe respekti dhe një trajtim poshtërues, duke zhvlerësuar atë kontribut që Asllani ka dhënë për Interin në këto 3 vite, sadopak qoftë ai. /Sport Ekspres/