Dy prej ekipeve të kampionatit shqiptar vazhdojnë ende rrugëtimin në arenën europiane. Dinamoja dhe Egnatia kanë mbërritur në turin e tretë të Ligës së Konferencës, ku tashmë i presin emra më të mëdhenj në emër. Megjithëse Vllaznia dhe Partizani e kanë përfunduar aventurën e tyre në Ligën e Konferencës, ecuria e ekipeve të Superiores deri më tani mbetet pozitive.
Skuadrat e kampionatit shqiptar renditen në mesin e atyre me më tepër fitore deri në këtë fazë të kompeticioneve të UEFA-s. Ekipet e Shqipërisë kanë regjistruar deri më tani 6 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje. Me po të njëjtin numër fitoresh janë edhe skuadrat e kampionatit bjellorus, maqedonas, islandez dhe ukrainas. Ndërkohë ekipet me më tepër fitore deri më tani janë ato të Suedisë dhe Polonisë, me 9 të tilla. Në këtë renditje Superiorja lë pas, ndër të tjerë, kampionate si ai serb, danez, azer, austriak, irlandez apo andorras./Sport Ekspres/