Edhe për sezonin e ardhshëm, FSHF-ja do të ruajë të njëjtën strukturë teknike në aktivitetin e rëndësishëm që zhvillohet në Qendrat Rajonale dhe në projektin TDS.
Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, ka dhënë një deklaratë për fshf.org, ku ka folur për risitë e këtij sezoni dhe ka prezantuar emrat e rinj që janë bërë pjesë e stafit teknik.
“Edhe vitin e ardhshëm Qendrat Rajonale do të kenë dy skuadra, një e vitit 2013 dhe një skuadër e re e vitit 2014. Përzgjedhja do të bëhet në shtator nga trajnerët tanë të ekipeve të moshave që do të ndjekin seleksionimet e do të zgjedhin 23 lojtarët më të mirë për kategorinë 2013 dhe 2014 për secilën Qendër Rajonale” – u shpreh z.Pea.
“Rreth 95% e trajnerëve janë konfirmuar sërish për punën e shkëlqyer të kryer nga Koordinatori ynë Teknik, Erjon Stavri, por edhe për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar nga 8 Drejtorët Teknikë të Qendrave, si dhe për punën e shkëlqyer të bërë nga trajnerët, të cilët kanë ndjekur metodologjinë e punës së FSHF-së. Ata kanë marrë propozimin për të vazhduar edhe këtë sezon” – konfirmoi Trejtori Teknik i FSHF.
“Në sezonin e ardhshëm do të ketë 2 trajnerë për portierët, të koordinuar nga Erion Meta, përgjegjësi i sektorit të portierëve: për zonën e veriut, Baholli, dhe për zonën e jugut, Halilaj, të cilët, së bashku me Erjon Stavrin, do të ndjekin seancat stërvitore të skuadrave çdo të hënë. E dimë shumë mirë që roli i portierit është shumë specifik, ndaj kemi menduar të rrisim monitorimin, si për trajnerët, ashtu edhe për lojtarët. Ndaj, në çdo Qendër Rajonale, çdo të hënë do të zhvillojmë një vizitë që do të na lejojë të monitorojmë nga pikëpamja teknike dhe e rritjes së secilit fëmijë” – shtoi më tej.
“Brenda aktiviteteve të Qendrave Rajonale kemi projektin TDS. Vitin e ardhshëm kemi një risi, në fakt dy. E para, kemi shtuar një figurë të re, Cyme Lulaj, në rolin e Koordinatorit Teknik, duke ndjekur udhëzimet e Erjon Stavrit, ndaj çdo të hënë do të shkojë në çdo qytet dhe Qendër Rajonale për të ndjekur stërvitjet” – shpjegoi Fulvio Pea.
“Risia e dytë është që vitin e ardhshëm, për herë të parë, të tetë Qendrat Rajonale do të formojnë një skuadër. Kjo përbën një risi të bukur që na bën krenarë. Përveç Tiranës, e cila ka një numër më të madh banorësh se qytetet e tjera, qytetet e tjera do të kenë 2 skuadra: një skuadër për 2012/13 dhe një skuadër për 2014” – përfundoi ai.