Dinamo ka luajtur në mënyrë shumë të mirë kundër Hajduk Split në transfertë, ndërsa në fund humbi në shifrat 2-1. Gabimi i Ditës i kushtoi humbjen ekipit shqiptar, që largohet me një shije jo edhe aq të mirë nga Kroacia. Megjithatë Daja mendon ndryshe, teksa tekniku shqiptar shprehet se gjithcka mbetet e hapur dhe se gabime të tilla ndodhin për sa kohë loja zhvillohet me pasime nga portieri te mbrojtësi dhe jo duke përdorur topin e gjatë si alternativë.
“Po është bukur kur luan para 33.000 tifozëve. E nisëm ndeshjen shumë mirë, kishim shumë momente të mira dhe shanse të krijuara dhe pjesën e parë e kemi luajtur mirë. Në fillimin e pjesës së dytë, ia dhamë topin shumë herë Hajdukut në mënyrë të panevojshme. Të humbësh me një gol në transfertë kundër Hajdukut nuk është rezultat i keq. Ne do ta tentojmë përmbysjen në shtëpi, para tifozëve tanë.
Gabimi i Ditës? Kur e ndërton lojën nga poshtë, ndodhin këto gabime. Kapiteni ynë ka eksperiencë, por ne duhet të luajmë më mirë, kemi pësuar gola nga gabimet tona. Shanset janë 60 me 40 për Hajdukun, por futbolli ka të papritura. Tentojmë përmbysjen në shtëpi, por duhet të kemi kujdes pasi një gol i Hajdukut atje vendos ndeshjen. Të jem i sinqertë, sot mund të kishim pësuar të paktën edhe një gol tjetër. Ishte hera e parë për ne në Europë pas shumë vitesh. Shumë nga lojtarët tanë luanin në Europë për herë të parë dhe kemi bërë shumë gabime”, tha Daja.
Nga ana tjetër trajneri i Hajdukut, Garcia, u shfaq i mërzitur me rezultatin 2-1. Trajneri i Hajdukut kërkonte të mbyllte gjithcka që në takimin e parë, për të mos i lënë asgjë rastësisë apo befasisë në Shqipëri.
“Jam i kënaqur me mënyrën se si luajtëm, por jo me rezultatin. Duhej të shënonim edhe disa gola të tjerë. Nuk u ndalëm, donim një gol të tretë… Ndoshta ishim pak të lodhur sepse luajtëm shumë ndeshje në të cilat na u desh të jepnim gjithçka.
Jemi të lumtur sepse puna jonë e madhe u shpërblye. Krijuam tre ose katër raste të tjera. Pësuam një gol, i cili na tronditi. Luajtëm dy ndeshje evropiane në Poljud dhe pësuam dy gola nga hiçi. Nuk bëmë presion aq sa duhej, por kundërshtarët nuk krijuan asnjë rast serioz për ne.
Ndeshja e kthimit me Dinamon? Nuk do të na presin. Ata do të luajnë, do të kërkojnë një shans. Ne duhet të përshtatemi me stilin e tyre. Ndjeva se po u shkaktonim probleme dhe për këtë arsye loja u zhvillua në atë drejtim, jo sepse ata u tërhoqën. I pashë ndeshjet e tyre të mëparshme – ata duan të luajnë dhe do të kërkojnë një fitore. Përqindja e kalimit? Nuk e di, kemi një avantazh të lehtë, por mbetet një avantazh. Do të përpiqemi të fitojmë, te Dinamo kanë luajtur mirë dhe dilnin mirë nga presioni ynë”, tha Garcia. /Sport Ekspres/