Vetëm Dinamo arriti që të kalonte në fazën e Play Off të Conference League, ndërsa për fat të keq, Egnatia nuk ia doli dot me Ljubjanën. Një tjetër ndeshje dramatike e Egnatias që përfundon me fundin e hidhur, kjo skuadër duket se nuk e ka marrë ende eksperiencën për t’ia dalë në momente të tilla, pavarësisht viteve që po kalojnë.
4 gola të shënuar në 8 minutat e para, por vetëm njëri prej tyre ishte i rregullt. Në fund Ljubjana edhe pse e nisi ndeshjen në një mënyrë kaq të dobët e menaxhoi takimin duke kaluar turin në mënyrë të pabesueshme, edhe në një takim që u dorëzua pa kushte që në fillim.
Por media në Slloveni, “Ekipa.svet”, që po mbante live ndeshjen Egnatia-Ljubjana dhe bëri pasqyrimin e pjesës së parë, kishte një shkrim epik për t’i treguar publikut slloven se çfarë po ndodhte në ato 45 minuta në Shqipëri.
“A po talleni me ne? Ndeshja në Shqipëri ka nisur si një shaka e keqe, si një natë e errët për Ljubjanën. Katër gola përfunduan në rrjetën tonë në më pak se tetë minuta. Pafuqia e plotë e kampionëve sllovenë ishte veçanërisht shqetësuese në minutat e para të ndeshjes së dytë, nganjëherë dukej sikur ekipi i Lubjanës ishte në një karusel. Shqiptarët dukeshin si një ekip nga Champions League, si Real Madrid nga Temu. Ata fluturuan nëpër fushë në të gjitha drejtimet, ishin më të aftë dhe të saktë se kundërshtari slloven, ishin thjesht shumë të shpejtë për ta, në fakt në tre raste edhe shumë të shpejtë për të shmangur një pozicion të ndaluar.
Pas 10 ose 15 minutash, loja u qetësua, miqtë morën një pushim, por kaq ishte e gjitha. Lojtarët e Olimpijas ishin plotësisht të pafuqishëm në sulm, sulmet e tyre ishin të kota, pa një mundësi të mirë”, ishte një pjesë e shkrimit për të treguar pasqyrimin e pjesës së parë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/