Nga Gerti Çarçani
“Ilir Daja, kjo pasuri kombëtare”,- do të shpërthente kolegu Ylli Aga në koment, pak sekonda pas eleminimit të një emri të madh si Hajduk Split. Dhe në gjykimin e tij e jo vetëm të tij, një emër i tillë në training natyrisht ka peshën e tij në këtë qasje europiane për Dinamon. Por, eklipsimi i kontributit real natyrisht që gjen argument tek një tjetër mekanizëm. Pikërisht të presidenca. Fatura e një suksesi të tillë nuk mund të kalkulohet pa gjurmën e tij në këtë rrugëtim të deritanishëm të kësaj Dinamoje që Bardhi e gjeti në Pezë-Helmës dhe e solli deri këtu. Natyrisht, duke afruar edhe profesor Dajën në familjen dinamovite, si dhe duke i garantuar atij terrenin e plotë për të vazhduar për të bërë sukses, edhe pas triumfeve me Ballkanin në Kosovë. Shpesh në realitetin shqiptar shmangen plotësisht ata burrat që japin lekët. Fenomen shqiptar konstant…!
Dhe ky sukses i deritanishëm dinamovit riktheu në panteonin europian edhe një emër tjetër “të vdekur” klinikisht deri para disa viteve, si Dinamo. Me City, apo pa City ajo është Dinamo. Që natyrisht është një shoqëri private që pas disa vitesh vuajtjeje me jo pak kosto këtë radhë zgjodhi të sjellë Dajën në krye të anijes blu, por duke pasur pas Ad Bardhin që zgjodhi të rikthejë traditën e Dinamos nëpërmjet një emri me jo pak sukses në pankinë. Këtu dhe atje, në Kosovë.
Një miku im, oponent në fushë me Dinamon e Ad Bardhit më tha pas ndeshjes me Hajdukun në “Air Albania”: “Një sukses që 75% ka emrin Ilir Daja, dhe 25% Dinamon”. “Po ky burri që jep lekët, apo varja, këta nuk quhen?, kështu iu përgjigja. Sepse prej vitesh e vitesh japin e japin e vazhdojnë të japin.
E në fund, edhe pas triumfeve do të vazhdojnë të japin se e dhëna bën mirë thonë, po jo në futboll… Mbaj mend para disa viteve një president me një kalim turi në Europë gëzonte fare pak. Për një arsye të thjeshtë, sepse të nesërmen do të duhej të çonte lekë të ekipi për premio e rroga të prapambetura. Sidoqoftë, ardhja e Dinamos deri në sfidën me polakët natyrisht që në fushë ka meritën absolute të profesor Dajës dhe cunave. Por, po kaq taktikisht edhe jashtë fushës mbart garancinë e suksesit personal edhe të presidentit Bardhi.
Po po, Ardit të Pascuccit që pas viteve e viteve errësirë e “karantinë” suksesi, tashmë ka nisur të besojë vërtetë që edhe investimi i tij paskërkësh vlerë. E natyrisht kontribute të tilla nuk mund të devijohen për asnjë arsye e rrethane, përsa kohë pas tyre qëndrojnë kolaterale suporti për garanci të plotë të klubit.
Po o robo po!
Pa Ad Bardhin pas, Dinamo do të kishte krejtësisht pamje tjetër e ndoshta ëndërra do të vazhdonte të frenonte realitetin. Kollaj të eklipsosh, si dhe shumë vështirë të pranosh realitete që lëvrojnë buxhete të frikshme për objektiva edhe që s’mund të arrihen direkt. Dhe futbolli dëshmi të tilla i ka konstatuar përherë.
Histori suksesi nuk ka shumë, por histori kostosh ka pafund në klubet shqiptare me buxhete që kalojnë 1.5 mln eurot sezonale, edhe me riskun e madh që nuk merr mbrapsht as 25% të asaj që ke hedhur. Dinamo priti gjatë, kaloi nëpër njëqind skuta derisa Bardhi zgjodhi të sjellë Dajën për të arritur këtu dhe ku është. Dinamovitët fillimisht ishin shumë skeptikë. Disa madje u kapën pas alibisë së shtojcës City, por shumë më vonë realisht kuptuan që rrezikonin të mbesnin prej vitesh në Pezë-Helmës.
Sot janë në sprovën e historisë: Luajnë fatet për grupet e Conference League për të cuar mesazhin që këtë hap nuk mund ta bëjë vetëm Tan Takaj, por çdo sipërmarrje tjetër agresive për një standart të tillë.
Dinamo ka inkasuar në këto kalime, por njëherësh ka arritur deri në 1.2 mln euro kosto shpenzime të deritanishme për gjithcka rrethon kurimin e skuadrës.
Dhe natyrisht asnjë aset në fushë nuk do të vlerësohet si i tillë, nëse pas tyre nuk funksionon “aorta” e klubit, arka, presidenti! Gjithkush bën gjënë e tij, por cdokush kupton që më e vështira ka qenë, është dhe do të jetë: Investimi i buxheteve presidenciale, përtej kapaciteteve logjike të tregut dhe cilësisë së futbollit tonë. Ndaj, eklipsimi i zërit bazik, presidencës është një karrllëk i madh me stampë shqiptare.