“Vura re që janë agresivë, nuk do të dorëzohen në asnjë çast”, kapiteni i Jagiellonias: Duhet të jemi të zgjuae me Dinamon

Jagiellonia do të presë mbrëmjen e nesërme, duke nisur nga ora 20:15, Dinamon në ndeshjen e parë të fazës “play off” të Ligës së Konferencës. Kapiteni i polakëve ka folur për mediat në prag të këtij takimi. Romançuku ka thënë se duhet një qasje e ftohtë për këtë sfidë, pasi nuk mind ta nënvlerësojnë Dinamon. Gjithashtu kapiteni i Jagiellonias ka zbuluar se në stërvitjen e skuadrës shqiptare vërejti se kanë të bëjë me një kundërshtar agresiv dhe që nuk do të dorëzohet në asnjë çast.

“Kjo është një ndeshje vërtetë e rëndësishme dhe e dimë që do të zhvillohet me dy takime, kështu që po e marrim me qetësi, veçanërisht ndeshjen e parë. Po luajmë në shtëpi dhe e dimë se çfarë jemi të aftë të bëjmë këtu. Nuk mund ta nënvlerësosh Dinamon, sepse është një ekip që më parë ka eliminuar një klub të fortë kroat, kështu që duhet të jesh i kujdesshëm me ta. Por mendoj se stafi dhe trajneri ynë kanë një plan për këtë ndeshje, kështu që do ta dëgjojmë atë plan dhe do ta zbatojmë në fushë.

Duhet t’i qasemi kësaj me kokë të ftohtë, sepse është një finale me dy ndeshje. Duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të zgjuar në fushë dhe, mbi të gjitha, të shfrytëzojmë rastet tona, të gjuajmë më shumë, të krijojmë më shumë raste dhe të bëjmë më shumë presion, veçanërisht në shtëpi. Shpresoj që tifozët do të na mbështesin. Unë po mbështetem tek ata që të na shtyjnë përpara që nga vërshëllima e parë.

Vura re se po luajnë një me një në të gjithë fushën, janë agresivë dhe definitivisht nuk do të dorëzohen në asnjë moment. Por ne jemi Jagiellonia, po luajmë në shtëpi. Jemi një ekip i fortë dhe shpresoj se do të tregojmë se çfarë jemi të aftë të bëjmë nesër. Mendoj se duhet të dalim dhe të bëjmë punën tonë. Gjëja më e rëndësishme është ndeshja e parë, të luajmë mirë dhe ta fitojmë”, ka thënë Taras Romançuku./Sport Ekspres/