“Nëndetësja blu” fut ujë, Dinamoja largohet me 3 gola të pësuar nga Polonia

Dinamoja është larguar me humbje nga transferta polake. “Nëndetësja blu” ka futur ujë në Poloni, teksa është mposhtur me shifrat 3-0. Ekipi i Dajës pësoi gol që në minutën e parë të lojës, por festa e polakëve u ndal për pozicion jashtë loje. Megjithatë Imazi tundi rrjetën në minutën e 12, ndërsa në të 34-tën Pululuja dyfishoi shifrat.

Kur pritej që në pjesën e dytë të shihnim reagimin e Dinamos, Jagiellonia i ndëshkoi sërish. Këtë herë ishte Vojtuzeku ai që në minutën e 50 vulosi shifrat përfundimtare në 3-0. Skuadrat do të përballen përsëri një javë më vonë në “Air Albania”, kur do të përcaktohet përfundimisht se cili do të sigurojë një vend në grupet e Ligës së Konferencës./Sport Ekspres/