Dy humbje brenda pak ditësh! Drejtori sportiv shqiptar i Milanit, Igli Tare, nuk e ka gjetur aspak të shtruar rrugën e punës te kuqezinjtë. Një krizë e madhe kishte përfshirë ekipin italian, Tare u mundua të ndryshonte çfarë të mundej dhe rezultatet në fillim janë sërish kundër.
Milani e nisi me humbje takimin e parë në Serinë A ndaj Cremonese, 1-2, por dha disa sinjale pozitive. Pas asaj humbje në Serinë A, një tjetër humbje vjen për Milanin e Igli Tares, këtë herë në grupmoshën U-20.
Pasi e nisën me fitore ndaj Lecce kampionatin e U-20, Milani sot ka humbur në shifrat 1-2 ndaj Sasuolos U-20. Të dy golat e Sasuolos janë shënuar nga talenti i madh i Shqipërisë, Gabriel Kulla.
Në rastin e parë, në minutën e 14, Kulla shënoi me një kthesë të befasishme duke shtangur në vend edhe portierin kundërshtar. Ndërkohë goli i dytë erdhi prej tij në minutën e 45, duke ia pamundësuar edhe njëherë tjetër portierit të Milanit, ndalimin e topit drejt rrjetës.
Në pjesën e dytë, Gabriel Kulla vazhdoi të vallëzonte mes mbrojtësave kundërshtarë dhe humbi të paktën dy raste të tjera që mund ta dërgonin në 4 gola të shënuar në këto 90 minuta. Megjithatë ajo që ka rëndësi është fakti se Gabriel Kulla e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë sezon duke qenë pjesë e ekipit U-20. Nga krahu tjetër, shifrat e 17-vjecarit te Shqipëria janë të frikshme. Me ekipin e Shqipërisë U-17, shkodrani ka realizuar plot 10 gola në 14 ndeshje të zhvilluara me fanellën kuqezi. Frika e vetme qëndron në faktin se Gabriel është pjesë e akademive në Itali, në një vend që njihet për mungesën e dhënies së hapësirës për lojtarët e dalë nga ekipet zinxhire. Por nëse vazhdon në këto ritme, ndoshta një ftesë nga ekipi i parë i Sasuolës nuk do të mungojë për të. /Sport Ekspres/