Nga Drilon Xhepollari
Gongu kampionatit ka rënë, “Countdown” ka nisur dhe interesi në qytetin bregdetar, por edhe në opinionin sportiv, është i madh për të parë Teutën e re në fushë. Ky sezon nis me një revolucion të vërtetë, si në drejtim, ashtu edhe në përbërje.
Presidenti Fatos Troplini vjen me një vizion të qartë dhe ambicioz: ndërtimin e klubit në çdo hallkë, ku një rëndësi të veçantë zë akademia. Heqja e tarifave për të rinjtë profesionistë është vetëm hapi i parë në këtë rrugëtim. Stolin e ka marrë përsipër durrsaku Enkeleid Dobi, i cili rikthehet në qytetin e lindjes pas një eksperience të gjatë në Poloni.
Krahu i tij i djathtë është Renato Arapi, i cili ka marrë postin e drejtorit sportiv. Arapi ka afruar emra të rëndësishëm gjatë merkatos së verës, duke ndërtuar një skuadër konkurruese si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen. Teuta e re do të jetë një përzierje mes futbollistëve me eksperiencë dhe të rinjve premtues.
Disa nga afrimet më të spikatura janë: polaku Jakub Myszor, nigeriani David Fadairo, braziliani Gabriel Gomes, ish-lojtari i Metalistit, si dhe lojtarë të njohur të kampionatit shqiptar si Florjan Pergjoni, Albi Doka, Ardit Toli, Harallamb Qaqi dhe Gentian Selmani, të gjithë me eksperiencë të madhe, ndërsa e kanë provuar shijen e titullit kampion.
Gjatë fazës përgatitore, trajneri Dobi ka testuar disa skema taktike, por premiera me Partizanin do të shuajë kureshtjen e tifozëve për formacionin dhe do të tregojë se çfarë mund të presim nga ky ekip.
Por përveç ndryshimeve në skuadër, janë bërë edhe investime të rëndësishme në infrastrukturë.
Tribunat e stadiumit kanë marrë një pamje krejtësisht të re, ndërkohë që presidenti ka vënë në dispozicion një autobus modern, i pajisur me të gjitha kushtet, veçanërisht për udhëtimet e gjata.
Risitë nuk ndalen këtu: në ndeshjet që Teuta do të zhvillojë në “Niko Dovana”, për herë të parë do të ofrohet shërbim kateringu gjatë gjithë sezonit.
Ndërkohë një vend të veçantë në tribunë do të kenë edhe figurat e klubit, që kanë dhënë kontribut për fanellën ndër vite.
Për të parë këto ndryshime, duhet të presim ndeshjen me Dinamon, e cila u shty për në 5 shtator për shkak të impenjimit të klubit kryeqytetas në Europë. Gjithsesi simptomat do të shfaqen që në transfertën e kryeqytetit, ku këtë të shtunë, në stadiumin “Arena e Demave”, duke nisur nga ora 20:00, Teuta do të luajë kundër Partizanit.
Formacioni i mundshëm pritet të jetë ky:
Skema: 4-3-1-2
Selmani:
Doka, Jazxhi, Kotobelli, Përgjoni;
E.Vila, Toli, Lloci;
Arifi;
Boçi (Fadairo), Beshiraj;