Shqipëria ka bërë detyrën mbrëmjen e sotme. Kuqezinjtë kanë mposhtur Letoninë me shifrat minimale 1-0 në “Air Albania”. Ndeshja u vendos nga Kristjan Asllani në minutën e 25. Një prekje e topit me dorë në zonë i dha mundësinë e një 11 metërshi Kombëtares shqiptare. Asllani u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë kështu tre pikë mjaft të vyera kuqezinjve. Pas përfundimit të takimit, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “Super Sport”-it.
Laçi: “Nga minuta e parë e treguam dëshirën që duhet ta fitonim këtë ndeshje. Në pjesën e parë krijuam raste, por na mungoi finalizimi. Kemi folur me lojtarët që krosojnë topin se 5 lojtarë në zonë nuk është e lehtë për t’i çarë. Por jemi të kënaqur me paraqitjen tonë, sepse rastet i kemi krijuar. Shpresoj që të na vijë goli edhe me Serbinë. Në Serbi na pret një ndeshje shumë e vështirë. E kemi treguar në “Air Albania” se nuk e kemi frikë Serbinë. Duhet të përmirësojmë finalizimin”.
Bajrami: “Nuk kam luajtur shumë kohët e fundit, por për Kombëtaren jam gjithmonë gati. Ky ishte shansi im. Ndeshjen e fundit kur luajtëm jashtë, e bëmë analizën mirë. Rëndësi tani ka që të kthehemi në klube dhe të fokusohemi aty. Kur të thërritemi sërish në Kombëtare, duhet të japi gati dhe të japim 100%. Këto biseda i kam pasur edhe me trajnerin. Unë ndihem më mirë pas sulmuesit, por luaj edhe në krahë”./Sport Ekspres/