“Broja më shau pak”! Momenti i përplasjes mes Asllanit dhe Brojës, mesfushori i thotë të pushojë

Shqipëria arriti të fitonte me rezultat minimal kundër Letonisë në shifrat 1-0. Një ndeshje e fituar ngushtë, por tre pikët mjaftojnë për të kërkuar vendin e dytë në grup. Tani gjithçka do të vendoset në ndeshjen e Beogradit, Serbi-Shqipëri. Tifozët kanë mbetur të zhgënjyer nga takimi i sotëm pasi panë një tjetër Shqipëri që nuk i bindi në lojë dhe në rezultat, një fitore minimale.

Por presioni ishte i madh mbi lojtarët e Kombëtares në këtë takim ku ishin të detyruar të fitonin. Madje situata shkoi deri aty aq sa edhe kapiteni Berat Gjimshiti humbi një rast të pastër, ku i vetëm para portierit, bëri më të vështirën duke e dërguar topin jashtë. Pra edhe njeriu më i ftohtë i Shqipërisë, Gjimshiti, për një moment e humbi fillin dhe ky ishte tregues se çfarë po përjetohej në fushën e blertë.
Dëshira ishte e madhe edhe mes lojtarëve të tjerë të shumë kritikuar në media për të shënuar gol.

Një detaj shumë i bukur ishte ai i minutës së 30 pasi Kristjan Asllani e kishte shënuar golin e parë nga penalltia. Pas një aksioni të bukur të Shqipërisë, topi përfundon në këmbët e Asllanit në brendësinë e zonës. Me dëshirën e madhe për të shënuar, Broja sulmon shtyllën e dytë dhe kërkon krosimin nga Asllani, por gjendej i markuar nga dy futbollistë. Asllani gjen korridorin e lirë për të goditur dhe e bën një gjë të tillë, me topin që shkoi afër traversës. Në atë moment të goditjes, Broja ka shpërthyer i xhindosur në nerva e sipër duke i thënë shumë fjalë Asllanit.

Nga ana tjetër, mesfushori tërësisht i ftohtë vendos dorën te hunda dhe i kërkon Brojës që të pushojë, madje duke i treguar edhe me gisht se ku duhet të mbajë vendin e tij. Një kërkesë e ekzagjeruar e Brojës pasi ndodhej në një pozicion ku pasimi ishte i pamundur, por e kuptueshme me dëshirën e madhe për të dalë te goli.

Pas ndeshjes, Kristjan Asllani tha për Supersport mes batutës se çfarë ndodhi mes tyre në fushë: “Bja më shau pak në fushë, u kapëm pak, por jemi shokë nuk ka problem (qesh). Gabimi është që nuk bëjmë gola, në fund rrezikuam shumë pasi u ulëm poshtë dhe pësuam 3-4 goditje kënde”, tha Asllani.

Pas ndeshjes, nervat kishin kaluar edhe për Armando Brojën, që nuk i kurseu komplimentat për shokun e ekipit. “Golat? Them se do i shohim shumë shpejt. Asllani është një lojtar shumë i madh dhe them se do të kemi asiste dhe gola bashkë. Unë them se duhet të godasim sa më shumë drejt portës dhe të kemi sa më shumë lojtarë brenda zonës. Për t’i vështirësuar më shumë punën kundërshtarëve në mbrojtje”, tha Broja. /Sport Ekspres/