“Kemi Shqipërinë në shtëpi që duhet ta rrahim”, Pavloviçi: Pamë njëri-tjetrin në sy, nuk duhet përsëritur më një humbje si me Anglinë

Serbia mori një humbje turpëruese 5-0 në shtëpi kundër Anglisë dhe tani ndeshja e 11 tetorit ndaj Shqipërisë do të jetë si një finale që do të përcaktojë vendin e dytë në grup. Strahija Pavloviçi ka thënë pas sfidës së djeshme se lojtarët panë njëri-tjetrin në sy dhe e kuptuan se një disfatë e tillë nuk duhej përsëritur më. Mbrojtësi i Milanit ka theksuar se duhet të mposhtin Shqipërinë në Beograd dhe të fshijnë sa më shpejt nga kujtesa këtë përballje me Anglinë.

“E pamë të gjithë njëri-tjetrin në sy dhe e kuptuam që kjo nuk duhet të ndodhë përsëri. Shumë gjëra munguan. Kemi disa ndeshje të vështira, të cilat duhet t’i fitojmë. Do të kthehemi te klubet për një muaj dhe të vijmë më të përgatitur për takimin e radhës. Kemi Shqipërinë në shtëpi që duhet ta rrahim. Fatkeqësisht në futboll duhet t’i harrosh këto ndeshje sa më shpejt dhe të kthehesh nga ato që po vijnë. Është shumë e thjeshtë”, ka deklaruar Strahija Pavloviçi./Sport Ekspres/