Shqipëria i ka luajtur dy takimet e muajit shtator, por do të rikthehet shumë shpejt në fushën e blertë. Pas vetëm tre javësh, shënoni kalendarin dhe do të kemi një finale të madhe, nga ato finale që të lënë me zemër të ngrirë, Serbi-Shqipëri. Ekipi që do të fitojë, me shumë gjasa do të marrë vendin e dytë dhe do të shpresojë deri në fund për një kualifikim në Botëror.
Ndërkohë lufta për këtë takim ka nisur që tani. Serbia luajti kundër Andorrës në Leskovac dhe fitoi në shifrat 3-0. Por më pas ata zgjodhën që ndeshjen me Anglinë dhe Shqipërinë ta luanin në Beograd, në Rajko Mitic, në stadiumin më të madh në Serbi. Por ky plan i Serbisë doli edhe njëherë i dështuar. Në ndeshjen kundër Anglisë të humbur në shifrat 0-5 në Beograd, ndodhën shumë trazira në stadium, përleshje mes tifozëve, lazer që i drejtoheshin lojtarëve të Anglisë dhe kore kundër Kosovës dhe shqiptarëve. FIFA po përgatit dënim të rëndë për Serbinë, ku nuk përjashtohet as mundësia që ndeshja Serbi-Shqipëri të luhet pa tifozë.
Por përpara se FIFA të thotë fjalën e fundit, Serbia e ka bërë lëvizjen e parë. Sekretari i Federatës së Futbollit të Serbisë, Branko Radujko, ka folur sa i përket kësaj ndeshje të madhe duke thënë se kërkojnë të ndryshojnë stadiumin. Në ndeshjen kundër Anglisë, u futën në stadium edhe pjesëtarët e grupit të Milan Radocic, i cili organizoi një sulm në Kosovë disa kohë më parë në porosinë e Aleksandër Vucic. Kaq mjafton për të kuptuar se Serbia e ka të pamundur që të organizojë ndeshjen në Beograd kundër Shqipërisë me tifozë. Prandaj ata kanë kërkuar që ndeshja të zhvillohet në Leskovac përsëri, një stadium shumë i vogël, prej 8000 vënde dhe ku ka luajtur më parë me Zvicrën. Atmosfera atje është shumë e vakët dhe organizimi është shumë i lehtë, duke përjashtuar gjithë huliganët. Nëse ndeshja do të luhej në Beograd, humbja në tavolinë do të ishte e pashmangshme për Serbinë, vecanërisht nëse Shqipëria do të shënonte golin e parë të ndeshjes.
“Tani kemi para nesh, vetëm pas tre javësh, grumbullimin për ndeshjen më të rëndësishme në kualifikuese, për ndeshjen me Shqipërinë, e cila do të vendosë drejtpërdrejt se kush do të shkojë në playoff për Kupën e Botës. Ajo ndeshje është përparësia jonë absolute për momentin, kemi lojtarë që nuk kanë harruar të luajnë futboll, të luajnë në klube serioze, në liga serioze, ata kanë mundur ta bëjnë kombin të lumtur më parë dhe besoj se mund ta bëjnë edhe këtë herë.
Po punojmë intensivisht për të marrë miratimin për ndryshimin e vendndodhjes për atë ndeshje, Leskovci është një mjedis ku kombëtarja është përgatitur gjithmonë në paqe, ku u prit me mbështetje të pakursyer në një atmosferë jashtëzakonisht pozitive dhe ku regjistroi disa rezultate shumë të rëndësishme pozitive. Besoj se me Shqipërinë do të luajmë në Leskovac”, tha Radujko. /Sport Ekspres/