Silvinjo kritikohet, shumë herë me të drejtë për disa zgjedhje të pakuptueshme për ne. Por herë pas here, edhe me pak tepricë. Përshembull, pas ndeshjes Angli-Shqipëri të përfunduar në shifrat 2-0, të gjithë kritikuan trajnerin se përse nuk guxoi më shumë kundër Anglisë për të dalë me pikë.
Sipas shumë specialistëve të futbollit, të humbësh në futboll 2-0 dhe të humbësh 5-0 është po njësoj. Por në mbrëmjen e 9 shtatorit, askush nuk u gëzua për fitoren 1-0 të Shqipërisë më shumë sesa u gëzua për fitoren 5-0 të Anglisë kundër Serbisë në mes të Beogradit.
“Tani po, mund të bëjmë diçka”, thanë të gjithë, duke kuptuar qartësisht se një humbje 5-0 ka pasoja të serioze. Sepse të rrihesh lehtë dhe të rrihesh shumë, ndoshta përfundon me të njëjtin fund, i dëmtuar, por në spital qëndron disa ditë më gjatë. Dhe ajo që shpresohet është që ajo fitore 5-0 të ketë krijuar tensionin dhe përçarjen që po ndodh në Serbi për atë rezultat të papranueshëm, pa i hyrë pjesës më të rëndësishme, që nëse në fund dy ekipe dalin me të njëjtat pikë, vendos diferenca e golave.
Dhe në këtë aspekt, Shqipëria do të ishte më mirë se Serbia për momentin. Jo gjithmonë është një gabim i trajnerit për një humbje, si në rastin e Wembley, në disa momente është thjesht ekipi tjetër që të ndalon së luajturi futboll. Serbia, një ekip në letër shumë më i mirë se Shqipëria dhe me pjesëmarrje në kompeticionet europiane shumë më të mëdha se Shqipëria, nuk rrezikoi asnjëherë më tepër Anglinë sesa Shqipëria në statistika edhe pse e zhvilloi ndeshjen në Beograd dhe jo në transfertë. /Sport Ekspres/