Teuta kërkon tri pikët në ndeshjen kundër Vorës, e cila do të jetë premiera për këtë sezon në stadiumin “Niko Dovana”. Trajneri Enkeleid Dobi u shfaq optimist përpara mediave, ndërsa theksoi se kundërshtari meriton vlerësim maksimal.
Gjithashtu, Dobi, i cili rikthehet pas tri vitesh në Superiore, u shpreh se Teuta vjen me një vizion të ri dhe kërkoi mbështetjen e tifozëve për ta kthyer në një festë sportive ndeshjen me Vorën.
Si e gjetët kampionatin shqiptar pas rikthimit?
Pas tre vitesh, disa gjëra kanë ndryshuar. Mendoj se ekipi i Teutës është komplet në rindërtim. Jemi të vetëdijshëm për situatën që kemi dhe ku do të fokusohemi.
Kush do të jetë moto?
Të jemi të ndërgjegjshëm, të vetëdijshëm dhe mbi të gjitha të fokusohemi te ndeshja e radhës.
Klubi po organizon diçka të veçantë, si e përjeton ekipi?
Ndeshja me Vorën është shumë e rëndësishme, për arsye të situatës dhe sepse e kemi ndeshjen e parë që e luajmë në stadiumin tonë, pas një revolucioni duke filluar nga të gjithë drejtuesit: nga presidenti, drejtori, trajneri, ekipi që pothuajse gjysmën e kemi të ri në këtë moment. Ndeshja me Vorën për ne ka domethënie, që të tërheqim sa më shumë vëmendjen, të tërheqim tifozët dhe publikun që të kthehet në stadium. Të jemi krenarë për atë që prezantojmë, sidomos në fushë. Mund të flasim shumë gjëra të bukura, të mendojmë apo imagjinojmë, por çdo gjë e tregon fusha. Ne duhet të jemi sa më të ndërgjegjshëm në rrugën që kemi marrë dhe këtë ndeshje duhet ta kalojmë sa më mirë dhe me sukses, të mendojmë vetëm për 3 pikë.
Ka diçka që ju shqetëson?
Shqetësimet janë gjithmonë dispozitat e ditës që do të kemi. Kemi mungesën e Jazxhiut, kurse komplet ekipi e kemi 100% gati. Themi që çunat janë jashtëzakonisht të motivuar, mezi po e presin këtë takim. Gjithashtu dhe sportdashësit tanë, që i ftojmë, janë lojtari i 12-të. Durrësi është njohur për mbështetjen, tani kemi më shumë nevojë se kurrë. Unë e kam përjetuar këtë moment në vitet ’90, me të vërtetë ishte një kënaqësi që nuk mund ta shpreh me fjalë. Mënyra si na mbështesnin, si stadiumi mbushej dhe si ishin pranë nesh. Këtë dëshirë, mangësi të kohëve të fundit, duhet që sportdashësit t’ia japin Teutës. Është e nevojshme për qytetin, ekipin, për ata fëmijë që mund të ëndërrojnë dhe të realizojnë ato ëndrrat e vogla, sepse nuk janë të mëdha, për të pasur një ekip prestigjioz, kompetitiv dhe që skuadra të tregojë vlerat në fushë.
A janë 3 pikët synimi i vetëm me Vorën?
Synimi gjithmonë mbeten vetëm 3 pikët, por futbolli i ka të tre rezultatet. Jemi të karikuar, por dy javë pushim që nuk luajtëm ka ndikimin e vet. Do të bëjmë çfarë të jetë e mundur që ekipi të jetë në nivelin e duhur, të tregojë vlerat e tij. Dhe moto në këtë moment është të jemi të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm, por edhe të kthejmë Teutën në vendin që i takon. Jemi një nga klubet që asnjëherë nuk ka rënë nga kategoria. Kemi përgjegjësi, moto në këtë moment ta ringrejmë Teutën në nivelin që i takon.
Cili është objektivi kryesor?
Ndeshja me Vorën, ndeshje pas ndeshje.