“Duhet piloti që fusi marshin dhe të ndërrojë shpejtësinë”, trajneri i Teutës ngelet pa fjalë nga ekipi: Jam befasuar me këtë lojë…

Teuta dominoi kundër Vorës, por në fund ekipi duhet të kënaqet me barazimin, pasi gjithçka u mbyll në shifrat 1-1.

Trajneri Enkeleid Dobi u shfaq i zhgënjyer për rezultatin që djemtë e detit regjistruan në stadiumin “Niko Dovana” kundër Vorës. Ai theksoi se ndeshja duhej mbyllur që në pjesën e parë, pasi Teuta ishte superiore dhe krijoi disa raste të pastra për gol.

Barazimi – “Ky është futbolli, ndonjëherë nuk merr atë që meriton. Duhej ta kishim mbyllur ndeshjen në pjesën e parë, të ishim 2-0 ose 3-0. Megjithatë, është vetëm fillimi, kemi rrugë të gjatë përpara. Më vjen keq për lojtarët sepse dhanë maksimumin, por e dimë vlerën tonë dhe ku duam të mbërrijmë”, tha Dobi për RTSH.

Performanca e ekipit – “Jam surprizuar me skuadrën në pjesën e parë, me mënyrën si po ringrihemi dhe po punojmë. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me konceptin, filozofinë dhe këto janë vlerat e lojtarëve, inteligjenca dhe performancat e tyre që e tregojnë çdo ditë në fushë. Por kemi akoma punë për të bërë. Nëse një mekanizëm funksionon, duhet të ketë dhe pilotin që të fusë marshin dhe të ndërrojë shpejtësinë. Lojtarët bëjnë punën më të madhe, ne jemi aty vetëm për t’i ndihmuar dhe për t’u dhënë “veglat” e duhura që të funksionojnë si duhet. Trajnerët janë për të krijuar situata, ndërsa lojtarët për t’i finalizuar. Kemi punë përpara, kemi ndërruar gjysmën e ekipit, është proces, por besoj jemi në rrugën e duhur. E treguam edhe sot punën që po bëjmë si staf. Duhet të jemi më të durueshëm, t’u japim kohën e tyre çunave që të adaptohen dhe finalizimi të vijë në kohën e duhur”.

Goli i Vorës – “Nuk dua të merrem me këtë çështje, por kur pashë videon, VAR-i duhet të kishte ndërhyrë. Rregullat janë të qarta. Gjithsesi, ne bëjmë punën tonë dhe përqendrohemi te përgjegjësia jonë. Nuk e meritonim barazimin, meritonim fitoren”.