Rrënqethëse/ Shikoni se çfarë bëri trajnerja e Shqipërisë kundër Kosovës, emocion i pastër krenarie

Shqipëria U-15 e femrave e mbylli sot turneun Uefa Development në Shtëpinë e Futbollit duke luajtur kundër Kosovës. Gjithmonë e më shumë vijnë raste të bukura nga kjo vëllazërore dhe sot, e kishim sërish një të tillë. Disa kohë më parë, në një ndeshje moshash mes Shqipërisë dhe Kosovës për djem, Shqipëria i la penalltinë Kosovës duke e lënë topin në duart e portierit pasi penalltia ishte e padrejtë dhe u këndua himni kombëtar nga të dyja ekipet.

Ndërkohë e njëjta situatë është përsëritur edhe në ndeshjen e sotme, atje ku rezultati isshte i fundit nga rëndësia por që duhet treguar për një qëllim të caktuar që lidhet me vetë ngjarjen, 4-1. Në fillim të ndeshjes, pavarësisht shiut të rrëmbyeshëm, pasi kanë bërë fotot përkatëse ku secili ekip ishte më vete, në fund sfiduan shiun dhe bënë një tjetër fotografi, por këtë herë duke qenë një, Shqipëria dhe Kosova.
Një gjest që mori duartrokitjen e publikut, por me rëndësi është ajo që ndodhi në fundin e takimit. Shqipëria U-15 e vajzave e drejtuar nga Rabie Tota ka marrë 3 fitore në 3 ndeshjet e këtij turneu duke fituar 4-0 ndaj Moldavisë, 2-1 ndaj Estonisë dhe 4-1 ndaj Kosovës. Vajzat e vogla të Shqipërisë shpërthyen në festë pas ndeshjes duke iu gëzuar fitores dhe gjithë turneut, ndërsa në krahun e vajzave të Kosovës kishte dëshpërim.

Dy-tre prej lojtareve të Shqipërisë shkuan menjëherë për të ngritur lojtaret e Kosovës që ishin të shtira në tokë nga mërzitja dhe këtu del në skenë trajnerja e Shqipërisë, Rabie Tota. Me një gjest emocionues dhe vetëm për t’u duartrokitur, trajnerja e Shqipërisë, i ka kërkuar menjëherë lojtareve të saj që të ndalonin festën dhe të shkonin menjëherë te lojtaret e Kosovës për t’i dhënë forcë për humbjen dhe për t’i përqafuar. Kështu menjëherë pas këtij urdhëri të trajneres, të gjitha lojtaret e Shqipërisë vrapuan drejt motrave të tyre nga Kosova duke krijuar një skenë emocionuese.

Një përgëzim i madh për trajneren Rabie Tota, jo vetëm për rezultatet, por edhe për këtë gjest kaq të bukur të bërë. Në fund të dyja ekipet morën flamurin e Shqipërisë dhe Kosovës dhe bënë një tjetër fotografi së bashku, por këtë herë të gjitha të lumtura dhe me mërzinë e kaluar të ndeshjes. /Sport Ekspres/