Shkarkohet Laurent Blanc dhe kthehet Mario Mitaj, shqiptari e ka besimin e trajnerit të ri

Mario Mitaj po vuan një situatë paksa të pazakontë për lojtarët shqiptarë në tërësi në Europë. Nëse ka lojtarë të Shqipërisë që luajnë gjithmonë titullar apo qëndrojnë gjithmonë në stol për shkak të performancave jo të mira, Mitaj është një rast tjetër.

Mbrojtësi i Kombëtares ka luajtur gjithmonë si titullar te Al Ittihad dhe është vlerësuar për paraqitjet e tij, por në disa raste, përfundon në tribunë. Kjo për shkak të rregullit të numrit të kufizuar të lojtarëve të huaj që ka në Arabinë Saudite dhe duke parë yjet e shumtë nga Premier League dhe Europa që ka Al Ittihad, Mitaj është emri më i lehtë i sakrifikueshëm.

Kështu shqiptari përfundoi në tribunë për ndeshjen kundër Al Nassr të Cristiano Ronaldos, atje ku Al Ittihad humbi 0-2 dhe Laurent Blanc u shkarkua. Aktualisht trajner te Al Ittihad është zgjedhur Hassan Khalifa dhe vetë futbollisti shqiptar ka shpërndarë një fotografi para ndeshjes së sotme në kampionat ndaj Shabab, duke paralajmëruar rikthimin e tij. /Sport Ekspres/