Tetori kuqezi/ Një muaj plot ndeshje dhe emocione për Kombëtaren A, vajzat dhe ekipet e moshave

Pas një shtatori të mbushur me emocione, tetori do të sjellë sërish një kalendar të ngjeshur me ndeshje për të gjitha kombëtaret shqiptare. Nga Kombëtarja A, tek skuadrat e moshave dhe vajzat kuqezi, të gjitha ekipet do të zbresin në fushë për të përfaqësuar Shqipërinë.

Kombëtarja A do të përballet më 11 tetor në transfertë ndaj Serbisë në Leskovac, një duel i rëndësishëm për eliminatoret e Kupës së Botës 2026, ndërsa më 14 tetor kuqezinjtë do të rikthehen në “Air Albania” për miqësoren ndaj Jordanisë.

Vajzat e Kombëtares A do të kenë një muaj vendimtar, me dy përballje ndaj Qipros që do të përcaktojnë fatin e tyre për sezonin e ardhshëm në Ligën e Kombeve.

Edhe Kombëtarja U-21 do të luajë në “Air Albania”, ku do të presë San Marinon më 10 tetor, ndërsa ekipet kombëtare U-19 dhe U-17 do të zhvillojnë miqësore përgatitore ndaj Irlandës dhe Sllovenisë.

Tetori do të shënojë gjithashtu nisjen e dy turneve të rëndësishme të organizuara nga FSHF në Shqipëri, fazën kualifikuese të UEFA European Women’s Under-17 Championship dhe turneun UEFA Development U-15.

Vajzat U-17 do të masin forcat me Greqinë, Izraelin dhe Estoninë në Elbasan dhe Rrogozhinë, ndërsa djemtë U-15 do të sfidojnë Armeninë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën në “Shtëpinë e Futbollit”.

Një muaj i tëri kuqezi për t’u shijuar, me sfida të mëdha dhe përcaktuese.