Kryeqyteti vishet bardheblu. Derbi ka “ndezur” Tiranën, e cila ka mposhtur me shifrat 0-3 rivalin e përjetshëm, Partizanin. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 19 të takimit, kur një top i gjatë i hedhur në zonë nxorri huq dy mbrojtësit e Partizanit. Falaje shfrytëzoi më së miri rastin, duke e dërguar topin në rrjetë. Në minutën e 31-të bardheblutë dyfishuan shifrat. Këtë herë ishte gjeorgjiani Patsatsa ai që nga pika e bardhë e penalltisë e dërgoi topin pas shpinës së Alban Hoxhës.
Shpresat e “demave të kuq” u shuan përfundimisht në minutën e 74-t, atëherë kur Tabekuja vulosi shifrat në 0-3. Tirana merr kështu fitoren e parë në kampionat dhe shkon në kuotën e 5 pikëve. Ndërkohë, Partizani zhytet në krizën e rezultateve, teksa numëron humbjen e 4-t radhazi në “Abissnet Superiore”. Më poshtë mund të ndiqni intervistat e dhëna nga trajnerët pas përfundimit të ndeshjes për emisionin “Super Gol” në “RTSH Sport”.
Milinkoviç (Partizani): “E kishim përgatitur ndeshjen në mënyrë të mirë dhe kërkonim fitoren pas atyre rezultateve negative. Nuk e di përse ndodhin disa gjëra, po e them në gjuhën time, sikur jemi të mallkuar. Ndodhën disa gjëra që nuk i deshëm. Goli i parë, Hoxha ndjeu shqetësim dhe u dëmtua. Po përpiqem të gjej arsyen përse po ndodhin këto gjëra në këto dy muaj. Nuk mund të them që lojtarët nuk donin, ata dhanë maksimumin. Nuk është kjo më e mira. Patëm zëvendësime të detyruara. Kur humb, të gjithë kanë të drejtën të flasin. Bëra disa ndryshime sot, sepse doja energji të reja në skuadër. Garsia ishte mirë në krahë, edhe Kote. Kur humbet nuk e ke të drejtën të flasësh shumë, sepse duket sikur kërkon alibi”.
Bordin (Tirana): “Lojtarët e kanë stërmerituar për ta fituar këtë ndeshje. Kjo fitore i dedikohet atyre, presidentit. Por mbi të gjitha, tifozëve, sepse edhe në momentet e këqija e kanë ndjekur skuadrën. Është normale që të ketë një përqendrim maksimal gjatë gjithë ndeshjes. Jam shumë i lumtur, sepse ishte e rëndësishme për të gjithë ne. Për mua ishte shumë emocionuese. Kemi disa ditë pushim, për t’’u kthyer më të fortë se më parë. Por nëse do të mjaftohemi vetëm me këtë fitore në derbi, atëherë gjërat nuk do të shkojnë mirë. Jam i kënaqur me fazën mbrojtëse. Thuajse nuk kemi marrë asnjë goditje në portë. Kemi mbrojtur shumë mirë si skuadër”./Sport Ekspres/