Stojkovic ka dalë sot në konferencën për shtyp teksa ka folur për ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë. Tekniku i Serbisë është ndalur gjatë te ky takim, teksa ka konfirmuar edhe disa dëmtime dhe mungesa që vështirësojnë situatën e Kombëtares së tij. Por pjesa më e rëndësishme e konferencës lidhej me kapacitetin e stadiumit të Leskovcit.
Serbia e kaloi ndeshjen nga Beogradi në Leskovc, në mënyrë që të kontrollojë më mirë stadiumin dhe të mos ketë trazira që do të favorizonin Shqipërinë, ndoshta për një tjetër fitore në tavolinë. Problemi qëndron se pas dënimit nga FIFA me 20% të ulëseve më pak, pra të tifozëve që duhej të mungonin kundër Shqipërisë, numri i tifozëve që duhej të ishte prezent në atë takim ishte 6500 tifozë.
Kështu qarkulloi në të gjitha mediat, por kjo doli që të ishte një gënjeshtër. Trajneri i Serbisë u shpreh se numri i tifozëve do të jetë akoma edhe më i pakët sesa kaq. “Aty do të jenë 5000 tifozë”, tha Stojkovic. Dhe teksa gazetarët serbë e pyetën nëse nuk do të jenë 6500 tifozë, ai konfirmoi edhe njëherë tjetër: “Jo, jo, 5.000 tifozë. Llogaritini dhe do ta shihni se unë kam të drejtë përsëri. Uroj që fusha të jetë në kushtet ideale. Kemi luajtur në Leskovc më përpara dhe e dimë se cfarë na pret. Nuk ishte vendimi im për ta dërguar ndeshjen aty, do të luajmë atje ku vendosi Federata jonë. I bëj thirrje sërish njerëzve tanë që të duartrokasin dhe të mbështesin ekipin.
Gjithashtu trajneri i Serbisë tregoi se plani dhe qëllimi i tij është vetëm fitorja kundër Shqipërisë dhe se nuk do të bënte konsensus me asnjë rezultat tjetër. “Qëllimi ynë është vetëm që të fitojmë me Shqipërinë, të marrim 6 pikët tani në tetor, asgjë më pak, do të bëjmë gjithcka për t’ia dalë. Përse nuk është tërheqëse Shqipëria? Nuk mund të flasim kështu. Shqipëria është një ekip i madh dhe një rival i madh futbolli për ne. Në fund, duhet të shohim tabelën dhe se çfarë do të ndodh. Ne nuk mund të luajmë gjithmonë kundër Francës, Anglisë, Portugalisë apo Gjermanisë. Duhet të bëjmë edhe ndeshje të tilla, pavarësisht sa tërheqëse janë apo jo, por që duhen fituar”, tha Stojkovic. /Sport Ekspres/