“Nuk i arrijmë dot tifozët e Shqipërisë”! Stojkovic çmend mediat në Serbi: Po çfarë je duke folur?

Tensioni është ngritur para ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë. Ajo që është vënë re para të dyja këtyre ndeshjeve, është qasja pozitive e trajnerit të Serbisë karshi shqiptarëve. Stojkovic i ka lavdëruar gjithmonë tifozët e Shqipërisë, ndërsa pas ndeshjes në Tiranë në qershor u shpreh se një atmosferë të tillë si në Air Albania nuk e kishte parë asnjëherë në jetën e tij.

I menjëhershëm ishte reagimi i mediave serbe që i kërkuan shpjegime Stojkovic pasi sipas tyre lojtarët e Serbisë ishin goditur me sende në Tiranë dhe thanë se i gjithë stadiumi këndoi për UCK kundër Serbisë. Stojkovic ndryshoi pak nga qasja e tij në atë kohë, mes presionit të madh, por e përsëriti sërish deklaratën e tij para ndeshjes së nesërme.

Stojkovic është shprehur se në Leskovc nuk mund të ndodhi e njëjta atmosferë si në Tiranë. “Nuk është e njëjta ndeshje, atmosfera atje ishte argjentinase, sikur të luanin Boca dhe River. Dhe ishte vërtet bukur të luanim, edhe pse dikush e përcolli në një sens negativ. Por edhe atje ne u ngritëm mbi situatën, ishim të qetë, nuk kishte tension, ishim të përqendruar, të qetë, e kontrolluam lojën. U dhamë një penallti për shkakun tonë, një gabim.

Por kjo është gjithashtu një pjesë integrale e lojës, Petrovic na shpëtoi. Kjo ndeshje nuk është e njëjtë sepse ata janë jashtë, nuk kanë mbështetje nga tribunat, luajnë në vende të huaja dhe ne duam të konfirmojmë cilësinë duke luajtur një ndeshje konkurruese. Mendoj se do të arrijmë në vendin e dytë, duhet të jemi të duruar. Do të jetë një ndeshje me shumë intensitet, është e pamundur që kjo ndeshje të jetë e mërzitshme”, tha Stojkovic. Kjo deklaratë ka shkaktuar edhe njëherë polemika të mëdha teksa media serbe, Nova.rs, e hap shkrimin me titullin:

“Stojkovic, që kur ofendimet, sulmet dhe skandalet e shqiptarëve qënkan spektakël?”. Media në Serbi nuk mund të pranojnë vlerësimin e trajnerit të tyre për tifozët tanë, ndërsa vazhdon me shkrimin: “Lojtarët tanë u goditën nga tribunat, u këndua kundër nesh, kishte provokime dhe fyerje për serbët, por sic duket, për Stojkovic, ishte një spektakël për t’u shijuar. Megjithatë nuk është për t’u habitur, Stojkovic nuk i sheh asnjëherë gjërat sic janë”, thuhet në median serbe. /Sport Ekspres/