“Unë jam gati edhe të vdes në fushë për Kombëtaren”, Uzuni tregon shpirtin e sakrificës: Do të luaja edhe mbrojtës i majtë

Shqipëria shkruan historinë. Kuqezinjtë bëhet Zot në atë që ishte edhe stadiumi më fatsjellës i Serbisë. Rei Manaj shënoi një gol spektakolar në sekondat e fundit të pjesës së parë, duke shtangur vendasit. Dhe sigurisht, nuk mund të mungonte festa me shqiponjë.

Një festë që vazhdoi edhe në fund të ndeshjes, teksa rezultati 0-1 mbeti në fuqi deri në vërshëllimën e trefishtë të arbitrit. Tashmë Shqipëria shkon një hap larg ëndrrës Kupa e Botës 2026, duke mbajtur vendin e dytë në grup. Më poshtë mund të lexoni intervistat e lojtarëve për “Super Sport”-in pas përfundimit të ndeshjes.

Uzuni: “Në momentin kur thërritesh në ekipin kombëtar jem gjithçka. Për ekipin kombëtar jam i gatshëm edhe të vdes në fushë. Luaj dhe sakrifikoj për ekipin kombëtar. Nuk dua t’ja di edhe nëse luaj mbrojtës i majtë. Ishte një fitore e madhe. Kanë bërë një punë të madhe të gjithë lojtarët, stafi dhe trajneri. Nuk e dija që do të luaja. Unë isha duke analizuar kundërshtarët, sepse jetoj për futbollin, ia dedikoj gjithë kohën atij. Pres momentin tim. Rëndësi ka që ekipi fitoi. A jemi live?… Botërori do të ishte një ëndërr për mua. Humba europianin dhe të luaj Botërorin në Amerikë do të ishte dhurata më e bukur për mua”.

Shehu: “Emocionet janë të papërshkrueshme. Nuk kam fjalë. Kjo është një nga ditët më të lumtura të jetës sime. Të gjithë lojtarët, i gjithë stafi. I falenderoj të gjithë që na e bënë të mundur këtë ditë. Motivi ishte maksimal sot. E dinim të gjithë që kjo ndeshje ishte jetë a vdekje për ne. Dhamë maksimumin dhe e bëmë të mundur që kjo do të të vinte për të gjithë shqiptarët. Kemi bërë krenarë gjithë shqiptarinë sot.”./Sport Ekspres/